Historia e qyteteve shënjohet nga momente të veçanta, në data e përvjetorë të caktuar. Shkodra e ka shënjuar historinë e saj si një nga qytetet më të vjetra, në mos më i lashti në hapësirën shqiptare edhe përtej Ballkanit. 2500 vitet e ekzistencës së saj me kokëfortësinë e fakteve po ecin drejt numrit 5000. E përtej kësaj krenarie, ne që jetojmë ditët e sotme, përpiqemi të kapemi pas datave dhe vlerësimeve që i perceptojmë, i prekim me dorë apo edhe me sytë e mendjes.
Vitin 2019- të, është i destinuar të mos jetë një vit i zakonshëm për Shkodrën. “Lidhja e shkurtër” e arsyetimit të shpejtë mbase e lidh me politikën, fatin e Bashkisë, 30 qershorin, kandidatin që nuk u bë asnjëherë kryetar dhe për kryetaren që ecën në mandatin e dytë me fuqinë që buron nga vota e 2015-ës.
Jo! Viti që ka edhe më pak se 60 ditë të mbyllet, shënjohet nga dy kulme që rastësisht, kanë koençiduar me dy pikat më të forta të Shkodrës, shpesh e cilësuar edhe si djep i tyre: Sportin dhe artin!
Shkurti shënoi 100 vjetorin e Shoqnisë “Vllaznia”, përvjetor unikal që mund ti përafrohet vetëm 150 apo 200 vjetori por që është çështje e brezave të ardhshëm. Dita e sotme, 3 nëntori shënoi 70 vjetorin e teatrit profesionist “Migjeni”, ndërsa si zhanër artistik, teatri në Shkodër po i afrohet 150 viteve. Çfarë do ta zbukuronte maksimalisht njërin dhe tjetrin përvjetor? Janë bërë e mund të bëhen festa, vente, aktivitete të panumërta. Mund të shtrohen dreka e darka pa fund. Por sigurisht, të gjitha do të harrohen nën peshën e viteve e të halleve. Ka diçka që nuk ka shanse të harrohet: Urdhri “Nderi i Kombit”, më i larti dhe i vlerësueshmi që jep Republika e Shqipërisë. E mori Vllaznia dhe e mori edhe Teatri “Migjeni”, dy krenaritë e djeshme, të sotme e të nesërme të Shkodrës. Janë dy vlerësime që rrisin më tepër krenarinë tonë si qytetarë të Shkodrës e për më tepër, kur janë të parët e të vetmit në shqiptari me këtë histori të shkëlqyer, zbukuruar me këto tituj.
Mbase mund të kishin ardhur në Shkodër në 80 apo 90 vjetorin e Vllaznisë, në 50 apo 60 vjetorin e Teatrit “Migjeni” por sipas gjasave, “askush nuk është kujtuar”, i zënë nga rutina e përditshmërisë, harresa naive apo djallëzore. Deri sot…
2019- a është vit i papërsëritshëm për Shkodrën, natyrisht edhe për shkodranët, brenda e jashtë vendit, përtej halleve të ditës e tifozllëkut të mirëkuptueshëm politik. Sepse përveç të tjerave, sporti e arti gjithherë kanë bashkuar dhe do të bashkojnë. Ashtu si polet e një magneti, kuq e blu, të kundërta por që tërhiqen fort për nga njëri- tjetri. Gëzuar Shkodra jonë! Gëzuar shkodranë kudo të jeni! Jemi “Nderi i Kombit”, në sport e në art! Më mirë se kaq…prishet, themi ne në Shkodër! /Shënim i ShkodraWeb/