Edi!
Më fal që të drejtohem publikisht kështu, por po përfitoj nga njohja që kemi patur dikur. Sigurisht, për shkak të profesionit tim. Natyrisht, edhe për ish- profesionin tënd si lider i opozitës dikur.
Nuk e di nëse e njeh nga afër Taulantin. Por e njoh unë dhe duke e njohur, jam i sigurtë se nuk e njeh nga afër. Do ta kesh njohur këto javët e fundit më shumë me impenjimin e tij për Alvin Berishën. Indirekt, mund të kesh pyetur kur e ke parë te “Le Iene”, meqë e di se je filoitalian dhe jo vetëm për shkak të Juventusit. Ndoshta për atë shërbimin që Taulanti bëri për “fëmijët krommbledhës” të Bulqizës. Ndoshta edhe për ndonjë tjetër.
Taulanti (jo Balla), ka qenë gazetar në Shqipëri, në Shkodër. Ka punuar edhe Tiranë në TCH. Iku në Itali. Emigrant. Dhe jo nga qejfi. Iku familjarisht siç kanë ikur, po ikin e do të ikin edhe shumë gazetarë. Natyrisht, jo nga dëshira për të lënë zanatin dhe punuar në pozicione të rëndomta. Por Taulanti pati fatin e njëkohësisht edhe zotësinë, të integrohej shpejt në profesionin e tij. U inkuadrua tek “Le Iene”, një format televiziv lider edhe përtej Italisë.
Me që e kemi njohur, përmes këtij emisioni e kemi ndjekur shpesh. I specializuar për raste të vështira dhe investigime. Ka punuar shumë, ka bërë shumë por sipas meje, arritja e tij më e madhe, është rasti i Alvin Berishës.
Ndergjegjësimin e Italisë e institucioneve të saj, e bëri “Le Iene”. Ndërsa këtu në Shqipëri, e bëri Taulanti. Madje krejt i vetëm. Vetëm disa miq e shokë, disa portale modeste që u pasuan edhe nga “të mëdhenjtë”. Më shumë se për humanizëm, për audiencë. Megjithatë, Taulanti ia arriti qëllimit. Vuri në lëvizje. Duke nisur nga ti Edi. Pas teje, edhe të tjerët. Edhe pse nuk ishte e nevojshme aspak. Ti dhe shtetarët, keni thënë se i keni të dhënat, keni bërë përpjekje, keni ndërmarrë aksione por…keni dështuar. Mbase për shkak të rifillimit të luftës në kufirin turko- sirian. Por Taulanti bëri që edhe ky konflikt “të shuhej”. Të detyroi ti hipje avionit e të takoje Conten, kryeministrin e Italisë. Mbase, Alvini u diskutua edhe në vizitën në Tiranë. Pak rëndësi ka, Taulanti iu vuri të gjithë në lëvizje.
Kuptohet që nuk ke patur kohë të lexosh në murin e Taulantit në Facebook. Postimet e tij të provokojnë ndjeshmëri të lartë. Ndjeshmëri njerëzore. Është e vështirë të mbash lotët pa rrëshqitur në faqe. Sepse Taulanti shkruan si prind, prind i tre fëmijëve që fatmirësisht për ta, po rriten në Itali. Po të gjesh kohë ti lexosh, do më japësh të drejtë.
Sot, kur Alvini u lirua nga Al Hawl i Sirisë, Taulanti nuk ka postuar asgjë në profilin e tij në Facebook. Por provo e futu vetëm 30 sekonda. Kërko “Taulant Kopliku” dhe do të shohësh se pse sot ai nuk ka nevojë të postojë asgjë. Janë qindra, ndoshta mijëra shqiptarë që i citojnë emrin, e falënderojnë për Alvinin.
Edi,
Nuk jam njohës i mirë i PR-it, siç të pëlqen ty ta quash shkurtimisht e modernisht ndërtimin e marrëdhënies me publikun. Por sot kam përshtypjen se ke humbur një mundësi ta përmirësosh PR-in që për hir të realitetit, sipas mendimit tim, nuk është në nivelet më të mira të mundshme. Si? Thjesht duke i thënë një faleminderit, fillimisht emisionit “Le Iene”, më pas edhe një shqiptari që punon për ta: Taulant Koplikut! Ndoshta të ka mbet hatri për atë telefonatën me ambasadorin apo ish- ambasadorin tonë në Turqi, ndoshta për aludimet që ka bërë ai për ty si pengesë e mundshme për përshpejtimin e shpëtimit të Alvinit. Mbase i mban mëri për “fëmijët e kromit” në Bulqizë. Por kur mund të përfitoje sado pak, mund të shkelje pak mbi krenarinë tënde, edhe pse e di se e ke shumë të vështirë.
Për të më mbyllur gojën mua por edhe shqiptarëve të tjerë që sot ndjehen krenarë për Taulant Koplikun, mund të na thuash: Thjesht po bën punën e tij, paguhet për të bërë punën e gazetarit, edhe në shërbime me rrezik serioz për jetën! E drejtë! Por edhe ti paguhesh nga shqiptarët për të bërë punën tënde, atë të kryeministrit të Shqipërisë! A je i kënaqur se si po e bën?
Jam i sigurtë se nuk do ta lexosh asnjëherë këtë “dacibao”, fletë-rrufe apo letër të hapur, siç mund ta etiketosh ti. Po, është emotive, shumë emotive. U bë më shumë kur në profilin e Taulantit pashë të postuara dy leje kalimi, të vogëlushëve Dumani. Edhe ata si Alvini janë në Al Hawl. Edhe për ta Taulanti ka ngritur zërin. Është momenti ti shikosh edhe ti. Të veprosh, madje shpejt. Për të treguar se Alvini nuk u rikthye pranë familjes vetëm falë këmbënguljes së “Le Iene” dhe Taulant Koplikut, një gazetar nga Shkodra. /Nga Blerti DELIJA, ish- koleg në Shkodër i Taulant KOPLIKUT/