A mund të ekzistojë ndonjë lidhje në mes këtyre dy zhvillimeve të orëve të fundit? I pari në Tiranë, në zyrat e KQZ- së. I dyti në një rrethrrotullim afër Tiranës, në Shkozet. Mbase edhe afër Vorës.
Lidhja e parë “e shkurtër” është kryeministri i vendit, Edi Rama. Në rastin e parë emëroi si kandidat (me 30 qershorin praktikisht kryebashkiak) Agim Kajmakun alias Jorgo Toto. Në rastin e dytë premtoi se nuk do ti ndahej “këmba- këmbës” një prokurori pjesë e KÇK- së (Kap Çfarë të Kapësh). Këtë të dytin as nuk e kishte emëruar dhe ligjërisht, nuk kishte tagër për ta shkarkuar nga detyra.
Kajmakut të Vorës kryeministri i vendit i siguroi një mbrojtje të fortë politike, edhe pasi PD nisi paralajmërimet për “zullumet” e Kajmakut. Që në fakt, mbase nuk do ti kushtonin karriken nëse thjesht do ti kishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimit të kandidimit në KQZ. Videot e mbrojtjes publike të Kajmakut nga Rama, edhe këto orë po bëjnë xhiron e internetit.
Ndryshe ndodhi me prokurorin e Ndoja. Nga “tempulli” i demokracisë, foltorja e Kuvendit, shefi i qeverisë kërcënoi publikisht se “nuk do ti ndahej këmbë- këmbës” atij dhe KÇK-së (Kap Çfarë të Kapësh). Kjo, edhe pse Ekzekutivi është krejtësisht pushtet i ndarë nga Drejtësia dhe teorikisht, një kryeministër duhet të ketë frikë nga “togat e zeza”. Natyrisht, në një shtet normal. Një kryeministër, në një vend demokratik, nuk ka mundësi të ndikojë në punën e një prokurori, aq më pak ta paralajmërojë apo shkarkojë atë.
“Të gjitha rrugët të çojnë në Mekë”, është një shprehje e njohur. E kështu, edhe dy ngjarjet e orëve të fundit, lidhen nga një emër: Kryeministri Edi Rama. Kajmakun e Vorës, pas vendimit unanim të KQZ- së 5 – 0, do të jetë i detyruar ta shkarkojë. Sigurisht, nëse nuk do të ketë ndonjë “surprizë” të minutave të fundit. Prokurorin Arjan Ndoja, as nuk mund ta shkarkonte dhe as nuk e shkarkon dot. Edhe pse, po e pranojmë apriori tezën e kryeministrit për KÇK- në dhe Arjan Ndojën si “kryetar” të këtij grupi të korruptuarish e inkriminuarish. Po kur nuk ka mundësi shkarkimi…?! Pjesa tjetër është histori e njohur. E freskët. Akoma nuk janë mbushur 24 orë! Fjala më e rëndë se plumbi, thotë populli! /Shënim i ShkodraWeb/