Lajmi ka marrë dhenë. Një prokuror shqiptar ka shpëtuar paq nga një atentat i rrezikshëm. Prokurori, bashkë me gjyqtarin dhe avokatin përbëjnë themelin e sistemit të drejtësisë. Një pushtet që në fakt duhet të jetë tërësisht i pavarur dhe mbi të gjitha pushtetet e tjera në kuptimin e kontrollit të funksionimit ligjor të shtetit.
Arjan Ndoja, prokuror i anatemuar deri edhe nga vetë kryeministri i vendit si pjesë e KÇK-së (Kap Çfarë të Mundësh), është pjesë e sistemit të mësipërm. Prej disa kohësh në këtë vend, në kuadër të reformës në drejtësi, funksionon “qeveria” e prokurorisë që quhet KLP- Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Po ashtu, funkisionon edhe “qeveria” e Gjyqësorit që quhet zyrtarisht KLGJ- Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Teorikisht, duhej të kishte një reagim, sado anemik dhe sipërfaqësor për ngjarjen e rëndë. Sepse është ngjarje vertetë e rëndë. Në mes të ditës, në një zonë me qarkullim dhe fare pranë dy qytetete të rëndësishme si Tirana e Durrësi, ti bëhet pritë/atentat një prokurori, ngjan me historitë e filmave me mafien në Itali apo edhe në SHBA- në e viteve të Al Kapones. Deri tani, zyrtarisht ka vetëm heshtje.
Në një vend normal, duhej të ngrihej në alarm i gjithë shteti. Nuk ka asnjë reagim akoma nga Ministri i Brendshëm, nga Ministrja e Drejtësisë se për kryeministrin nuk po humbasim kohë të shkruajmë ndonjë rresht. E gjithë piramida shtetërore është mjaftuar duke dërguar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vendngjarje, edhe ai me mjaft vonesë. Sikur ngjarja të kishte ndodhur në skaje, Vermosh apo Konispol.
Heshtja totale e KLP-së, KLGJ-së, ministrive të sipërpermendura, Kryeministrisë është jo vetëm e frikshme, por edhe këmbanë alarmi për ata që kanë veshë. Sidomos, në rradhët e sistemit të drejtësisë. Arsyeja e mosreagimit është e kuptueshme, sepse emri i Arjan Ndojës është shpallur “non grata” nga shefi i qeverisë dhe zëvendësi i tij. U shpall në një moment kur prokurori (që mund të jetë më i korrupturi në botë, por është pjesë e Prokurorisë Shqiptare!) po kryente detyrën e tij, atë të ushtrimit të ndjekjes penale për një zyrtar në Durrës. Me paralajmërimin “këmba- këmbës” që i bëri Rama prokurorit, me ngjarjen e djeshme që “pësoi” prokurori Ndoja, mesazhet janë të qarta edhe pse askush nuk mund ti lidhë dy episodet njëri me tjetrin.
Pavarësisht “decentralizimit” të funksionit me reformën në drejtësi, të paktën administrativisht Arjan Ndoja është në varësi të Arta Markut- PPP, Prokurore e Përgjithshme e Përkohëshme dhe zyrtarisht kandidate për të mandat të plotë e të rregullt. Vështirë që ndokush të pyes apo të shprehë habi se pse nuk ka një reagim të Markut për atentatin ndaj vartësit të saj, prokurorit Arjan Ndoja.
Episodi i fundit është tjetër provë “e pavarësisë” së sistemit të drejtësisë, “suksesit” të reformës në drejtësi dhe natyrisht, e faktit që edhe “drejtësia e re”, ka lindur e vdekur! /Shënim i ShkodraWeb/
P.S. Sot ësht ditë pushimi, dje ngjarja e rëndë ndodhi në kufijtë e përfundimit të orarit zyrtar të punës. Mbase duhet të presim të hënën për reagimet zyrtare, sepse edhe e diela është pushim!