Ndarja nga jeta e Mjeshtrit të Madh Gëzim Kruja, ka sjellë reagimin e natyrshëm të shumë kolegëve të tij. Nga të gjitha anët e Shqipërisë, jashtë saj, nga Amerika e vende të ndryshme të Europës ku jetojnë e punojnë, kolegët flasin me superlativa për Gëzim Krujën. Më poshtë, vetëm disa nga reagimet gjatë ditës së sotme, duke u kërkuar ndjesë atyre që nuk mund ti publikojmë në webmedian tonë.
TEATRI “MIGJENI” (Në FB): “Lamtumirë Mjeshtër! Përulje dhe respekt për kontributin tuaj! Mjeshtri Gëzim Kruja do të jetë i përhershëm në skenën e shtëpisë së tij të dytë. Ngushëllime familjes Kruja nga kolegët dhe gjithë kolektivi i teatrit “Migjeni”.
SANDER RUÇI: “Lamtumire me shumë pikëllim e lotë në sy miku im pa harruar Gëzim Kruja. Shkove në kte ditë të shejtë tonen, se ti kje i tanve, bashke jo nji here kemi kaluar Bajram e Pashkë, shume mu dhimte së mendja mu kthy në retrospektive ku në pah me duel personaliteti yt prej: Burri, shoku, familjari e artisti me peshe i qytetit që të lindi , ti nuk ke deke por je sot në perjetsi, i perjetshem kujtimi yt mik , Shkodra sot sigurisht asht ma e zymte e ma e varfer pa figuren tande, të kjofte dheu i letë, ngushllime, jam me ju familjarë në kte dhimje qē largesija veçse ma shumēfishon, ju perqafoj prej larg Vali , Meni , Çimi. Me lot në sy”.
ZYLIHA MILOTI: “Sapo morëm vesh humbjen e një artisti të madh, jo vetëm shkodran, por të gjithë Shqipërisë. Nuk ka pak minuta që fola me djalin e Gëzimit, është një humbje e madhe. Deri para një viti ka qenë i fortë, por humbje e madhe. Unë desha të ngushëlloj edhe familjet e tjera që kanë humbur të afërmit, situata është e vështirë. Por kjo e Gëzimit na ka prekur të gjithëve, më vjen keq, sepse nuk e meritonte, pasi do të ishte përcjellë me ceremoni të madhe nga të gjithë. Më vjen shumë keq.
Kohët e fundit po më thoshte i vëllai se nuk ka mundësi me ngrënë dhe pak a shumë e kemi pritur. Po na ikën artistët me radhë, një brez i mrekullueshëm. Por Gëzimi ka qenë njeri i mrekullueshëm. Nuk mund të komunikonte, por vetëm me të shkruar dicka.
Gëzimi mendonte se në 80-vjetor të bënte edhe një recital, e kishte me qejf por nuk iu realizua. Gëzimi nuk ka qenë vetëm aktor, por edhe ka shkruar shumë bukur. Na vjen keq se nuk mund të marrim pjesë në përcjelljen e tij, ky është kulmi, nuk e ka merituar këtë gjë, por cfarë të bëjmë”.
ZEF DEDA: “Kjo që po kalojmë është një situatë tepër e vështirë në të gjithë botë, po ashtu i vështirë dhe i zorshëm ishte edhe lajmi për ikjen e Gëzim Krujës, na pikëlloi. E kemi pas ne më të rinjtë idhull, sa bukur dilte në skenë, sa interpretonte, njerëzit në tan Shkodrën e tan Shqipninë qeshnin me të. Ai ishte artist i madh. Kishte sjellje të jashtëzakonshme me kolegët dhe ne thoshim po deshe me dal lirshëm në skenë dil me Gëzim Krujën, kishte aftësi të improvizonte cdo gjë”.
DRANDE XHAJ: “Me keqardhje para një ore pushoi së rrahuri zemra e mjeshtrit të humorit Gëzim Kruja. Ky është një lajmi trishtë, kontributi dhe karriera e tij ka qenë e shpërndarë në të gjitha viset dhe vendet ku ka shqiptarë. E mora këtë lajm të trishtë me shumë keqardhje. Ai ka qenë një njeri i mrekullueshëm dhe një mësues për mua.
Ai prej disa vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë. Hera e fundit që u takuam ishte 80-vjetori, në atë gjendje, por më mirë, se e kemi si kujtim atë ditë. Ai fatkeqësisht nuk e kaloi këtë sëmundje. Gëzim Kruja do të mbetet në historinë e humorit shqiptar dhe do të jetë një nga artistët më të dashur të humorit në Shqipëri. Cilat ishin pengjet e Gëzim Krujës? “Është e vërtetë që në portretin e tij dukej se kishte pengje, një ishte festimi i 80-vjetorit me një premier të re, me materiale të reja. Dhe iku me këtë peng, por ai ka materiale të jashtëzakonshme që do të mbështesin në historinë e humorit shqiptar”.
GRUPI “THUMBI” : “Qofsh i Xhenetit “Mjeshtri i Madh” Gzim Kruja kurr nuk do te harrojme Profesor. I shprehim Ngushellime familjes”.
BRUNO SHLLAKU: “Është një datë e keqe për humorin mbarë shqiptar. Ikën nga froni një perëndi, që për dekada me radhë dha atë që vështirë mund ta kishin dhënë të tjerët. Ai ngelet një shkollë e madhe, një virtyt, një dashuri për publikun dhe artin. Ai fron do të mbetet për shumë vite i pazëvendësueshëm për shumë vite. Ai ishte një personazh i dashur që nga fëmijët në kopshte deri te pensionistët që ishin në orët e fundit dhe që qeshnin me humorin e Gëzim Krujës. Unë kam pasur privilegj të punoj me Gëzimin në disa komedi. Gjithmonë merrja çmime kur Gëzim Kruja ishte në role”. Shllaku kujton edhe vitin 2018 kur me regji të tij Kruja u ngjit në skenë për herë të fundit. “Nuk më kishte shkuar në mendje kurrë, por jeta kjo është. Ai e mbylli, e finalizoi jetën. Ai e mbylli përballë shkodranëve si radhë herë me duartrokitje sikur donte të thoshte se….”.