– Ese sipas metodikës dhe frymës shkrimore të autorit Paul Jonson –
Të kujtova përsëri miku im Albri Brahusha, teksa po afron Dita Botërore e Librit, më 23 prill. Ashtu siç e di Ti, ashtu siç e di edhe Unë, origjinën kjo Ditë e ka në Spanjë, në zonën e Katalonjës; kush blinte një libër i dhurohej një trëndafil. Gjithashtu kujtojmë se, më 23 prill 1616 u nda nga kjo botë Servantesi, Shekspiri, etj. Gjithashtu, 23 prilli shënon lindjen ose vdekjen e shkrimtarëve, si: Maurice Druon, Vladimir Nabokov, etj. E, për Librin në shekuj janë thënë shumë fjalë të urta, e prapë do të shenjtërohet, sepse Libri është tempull urtësie e diturie. Po përmend disa prej tyre: – “Një dhomë pa libra është si një trup pa shpirt.” (Ciceroni); – “Kurrë mos i beso një njeriu që s’ka një libër me vete.” (Lemony Smichet); – “Librat janë një magji e lëvizshme.” (Stephen King); – “Nuk mund të fle nëse jam i rrethuar nga libra.” (Jorge Luis Bousqes); – “Një libër i bukur kthehet në një ngjarje në jetën time.” (Stendal); – “Ne jetojmë për librat.” (Umberto Ecco).
Miku im Albri Brahusha!.. Nuk dua ta besoj se, në atë fillim shkurti, edhe pse dielli ishte i pranishëm dhe kumbullat ishin mbuluar me petale të bardha, do të mësoja lajmin e hidhur dhe të kobshëm të ikjes tënde. Për një çast mendova se nuk ishte e vërtetë, por… Sigurisht, u pikëlluan njerëzit që të njohën, librat që shkrove e, që jetojnë në librari të ndryshme e në biblioteka të qyteteve, si edhe në ato pak më të largëta (periferive) falë librarëve pasionantë e idealistë… U pikëlluan skenat teatrore, duke filluar nga ajo e Vendlindjes, për të vazhduar me ato të Tiranës e për të vazhduar më tej në Prishtinë, e për të vazhduar më tej e më tej… Një shtegtim i bukur e plot vlera i dramës shqipe, ku me talentin tënd shpalose fuqishëm botë njerëzore, skalite personazhe që jetonin shpesh në realitete absurde që koha absurde i ktheu në frymorë absurdë. E, në këtë pakuptueshmëri të çuditshme por reale, me guximin tënd krijues e trimëror, ne, spektatorëve na mësoje se si duhet vështruar historia dhe si duhet ta ndiejmë të ardhmen e saj, si ta duam, si ta prekim, si ta ndërtojmë e si ta përqafojmë fuqishëm e ndershmërisht. Jo vetëm kaq, por në dramaturgjinë tënde pamë sesi kapërcehen kufijtë e kanoneve famëkeqe të realizmit socialist, sesi përqafohen rrezet e diellit, e më pas dielli vetë, si një ëndërr e vërtetë e plot risi shprese…
Ëndërr -ra, në fillim të panjohura e më pas të mishëruara në shpirtin e intelektin e njeriut, duke e parë shoqërinë dhe shtresat e saj më me vëmendje e më me përgjegjësi. Jo vetëm kaq, por në shumë skena, teksa interpretonin, dialogonin, arsyetonin personazhet, në mënyrë të përligjur, me artin tënd të ri diagnostikoje dhe luftoje veset negative e qëllimkëqija që ishin bashkudhëtare e, që shkatërronin shpirtin e njeriut. Ti kërkoje me ngulm që, në kohën e re dhe atë që do të vinte më pas, personazhin që e dashuroje aq shumë të mbushej forcërisht me një kulturë shumëdimensionale e intelekt të ri; – Të ishte luftëtar! E kërkoje domosdoshmërisht kohën aktuale me një vështrim të ri, ashtu si edhe kohën e ardhmërisë. Kjo është arsyeja që në krijimtarinë tënde dramaturgjike shkruaje për të vërtetën. Kjo e vërtetë nuk i duhej vetëm kohës ekzistenciale, por epokës. E të bësh epokë, nuk është e lehtë. Ti e bëre! Me këtë sy i kam parë veprat e tua autoriale të vëna në skenë. Jam befasuar dhe mahnitur! Në fund të fundit kërkoje nga personazhi të kishte fisnikërinë e shpirtit.
Një fisnikëri të tillë si pasuri e çmueshme e kishe dhe ti! Jo vetëm kaq, por kërkoje që kjo fisnikëri të kishte rreze të gjerë veprimi. Jashtëzakonisht të gjerë… Dhe e arrite këtë përmes kulturës tënde, eksplorimit të vazhdueshëm, argumentit të zgjedhur e kuptimplotë dhe intuitës poetike… Të gjitha këto i kishe me shumicë. Sepse kërkoje e kërkoje të zbuloje deri detajet më të imta botën dhe vetë individin (në të jashtmen dhe të brendshmen e tij); hyje nëpër labirintet e unit “duke e bërë objekt të analizës publike”, falë edhe skenës teatrore që ndërtonte regjisori mbi bazin e magjisë dramaturgjike. Dhe e gjitha kjo të çonte në njohjen e “brendësisë së zemrës njerëzore”. Dhe e gjitha kjo peshonte e shprehej në pohimin tënd: “kultura në të cilën jeton njeriu… përcakton sjelljen e tij, atëherë sjellja e njeriut është e mundur të përmirësohet, bile të transformohet plotësisht…”.
Ishe shkrimtar dhe dramaturg i lindur. Ishe shumë i aftë dhe i përgjegjshëm në marrëdhënie me fjalën (fjalët), i besoje asaj si vlerë e mesazh, e kishe të çmuar, ndaj e përdorje me kursim, me çmueshmëri, me filozofinë e dinjitetit. Kjo është arsyeja që në veprat autoriale dramaturgjike ishe dhe kritik i shumë anëve të shoqërisë së djeshme por edhe i së sotmes. Jo vetëm njohës i mirë, por ngjaje edhe si psikolog. Po përmend një dukuri siç ishte evidentimi i një vesi që quhej: mosmirënjohje, që në krijimtarinë tënde e luftoje pa mvshirë.
Kujtesa jote prej shkrimtari e dramaturgu kishte aromë jete, vlerë njeriu. Arsyeja ishte shumë e thjeshtë se, përherë flisje për të vërteta e për vërtetësi. Ato ishin himn jete! Himni i Jetës ishte motivi i madh krijues i yti, që, edhe pse i ri në moshë u largove nga kjo jetë, duke lënë pas shumë gjurmë të ndriçuara, të cilat duhen njohur, studiuar e vlerësuar… Kjo është më e pakta që mund t’i bëhen këtij njeriu e krijuesi të talentuar me emrin: Albri Brahusha. /Nga Xhahid BUSHATI, publikuar në Facebook, Shkodër, më, 22 – 23.04.2024/