“Turp për Ramën dhe Metën”, kompozitori i njohur Limoz Dizdari në luftë për jetën, reagon ish- deputeti socialist

Ish-deputeti Spartak Braho ka reaguar pas lajmit se kompozitori i njohur dhe ish-deputeti i PS-së Limoz Dizdari po lufton me vdekjen në spitalin e Durrësit.dizdari

Braho e ka cilësuar turp dhe kriminale braktisjen që qeveria Rama i ka bërë kësaj figure të njohur.


“Limoz Dizdari po dergjet në spital dhe po lufton me vdekjen, ndërsa Edi Rama dhe ministrat e tij për turp të tyre as që po lëvizin gishtin që socialistit të vjetër, ish-deputetit të PS, t’i ofrojnë mjekim më të specializuar se ai qe po i japin brenda mundësive mjekët në spitalin e Durrësit.

Turp për Ramën, turp edhe për Ilir Metën që dekoroi dhe dha tituj gjithfarë halabaku dhe “harroi” atë që iu gjend në krahë në kohë të vështira“, ka thënë Braho.

Pas botimit të lajmit dhe reagimit të Spartak Brahos, burime bëjnë me dije se është bërë i mundur transferimi nga spitali i Durrësit në qendrën spitalore ‘Shefqet Ndroqi’ në Tiranë i Limoz Dizdarit, Artist i Popullit.

Bluzat e bardha që kanë marrë nën kujdes Dizdarin bëjnë me dije se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë, duke theksuar se ai është prekur nga pneumonia në te dy mushkëritë. Mjekët e spitalit ‘Shefqet Ndroqi’ shprehen se po mbajnë nën monitorim gjendjen e kompozitorit duke i dhënë ndihmën e nevojshme. /alfapress.al/