Teza ime lindi si pasgjykim i lajmit më të fundit se qyteti i Shkodrës “sulmohet” me 12 raste të reja. Do përdor ketë trefjalësh për të tejçuar dy kumtime.
Politizimi i kësaj periudhe duket si domosdoshmëri në vendin tonë, pavarësisht se shumë syresh po përdorin si fjali hyrese, në deklaratat a opinionet e tyre, të kunderten e asaj që dua të them. Mosbërja në masë e testeve identifikues ndaj virusit, mospasja e një rezultati shpresëdhenës pas një izolimi tre-javor, mosdakordësimi i tejskajshëm i qeveritarëve me kërkesat e qytetarëve, kjo e fundit e përforcuar edhe nga paketat e “pagëzuara” me mbiemrin e kryeministrit, mosanullimi i fashave orare virus-shpërhapëse, kundërshtojnë shprehjen botërore: “Frikë, jo; kujdes, po”. Frika ime shtohet dita-ditës e si pasojë humbet kujdesi. Prandaj duhet trysni popullore që të zhduken moset e lartpërmendura.
Po çfarë e bën më emergjente të sotmen nga tre- javë më parë? Dallimin fatal e gjejmë në qytetin tim, Shkodër. Dashuria e pakuptimtë për Shirokën, shëtitjet e pakuptimta, organizimi i ceremonive mortore, të gjitha këto me besimin se virusi s’ është pranë nesh, me në fund e dha frytin e saj, këmbimi i titullit “djepi i kultures, artit dhe sportit” me “djepi i shpërthimit të co vid-19”.
Shumica e njerëzve qëndrojnë në shtëpi të izoluar dhe shumica e qeverive në botë e kanë kaluar pikun e virusit falë masave të tyre. Po t’ ia përshtasim këtë fakt shprehjes “Normalja është ajo që bën shumica” e filozofit Durcaim, a thua vallë anormalët e vetëshpallur tashmë, do tentojnë më shumë t’i bashkohen shumicës? /Nga Erol RAKAJ, për ShkodraWeb Media/