E paprituna të ban të qeshësh instinktivisht, pa ndërmjetësinë e arsyes! Komedia, si zhanër, asht e mbështetun në situata të tilla, prandaj edhe qeshim!
Kur shofim nji njeri, të cilit i rrëshqet kamba në nji rrugë me borë të ngrime dhe bie në kokërr të shpinës, reagimet tona janë të ndryshme! Dikush qesh nga ajo e papritun, nji tjetrit i vjen keq për “viktimën”! Mos qesh se e përveshë, ka thanë populli!
…Para shumë vitesh, ne Teatrin “Migjeni” po shfaqej nji dramë për figurën e Heroit të Popullit, Bajram Curri, rolin e të cilit e interpretonte aktori me famë shkodran, i ndjeri Prenk Lekunda.
Baca Bajrami do të ulej në qendër të skenës, në nji karrige karakteristike druni, të gdhendun për bukuri, e cila kishte tri kambë, dy anash e nji mbrapa!
Papritmas, Preka humb ekuilibrin në atë karrige dhe gati bie në dysheme, por nji aktor aty pranë, ia njet dorën e i thotë:
-Mbaju Baca Bajram!
Kam qenë në sallë atë natë. Spektatori shkodran, që asht spektatori ma i mirë në botë, reagoi me nji psherëtimë dhimbsunie për atë që ndodhi dhe pas pak, kur Baca zuni vend, e gjithë salla duartrokiti!
P.S. Mos qeshni me aksidentet o njerëz, sepse nesër mund të jetë radha juej! /Publikuar në Facebook nga Ymer BALA, aktor/