Ti tregosh një qytetari europian apo kudo në perëndim se një person burgoset se ka “vjedhur” 12 mijë lekë të vjetra, 10 dollarë ose 10 euro, do të gajasej së qeshuri. Po të vijosh historinë e të rrëfesh se një 43 vjeçar pasi u burgos për 12 mijë lekë, zgjodhi ti japë fund jetës në qeli, patjetër do ti ngrihet buzëqeshja në fytyrë. E gjithë kjo, në kulmin e ringritjes së sistemit “të ri” të drejtësisë, të “luftës” së paepur ndaj korrupsionit. E gjithë kjo histori tragjike, shkërdhen në të gjithë hapësirën e saj vetting-un e famshëm dhe shton ndjeshëm kotësinë e jetës së shqiptarit në vendlindje. Sidomos, kur mëson se 43 vjeçari qëndroi tre muaj në burg pa u marrë një vendim për aktin e tij “të rëndë”.
E kjo fatkeqësisht, është vetëm një pjesë e historisë tragjike të rradhës. Pas është një familje pa mbështetjen kryesore, e më në brendësi, katër fëmijë jetimë që panë tu shuhet udhërrëfyesi i jetës, siç është natyrisht babai për çdo fëmijë.
Ky skenar makabër, sepse nuk mund të jetë ndryshe, teksa “të kollarisurit” e mirëpaguar me taksat e shqiptarëve, me bythët në karrike luksoze, i bëjnë dëm çdo vit buxhetit të shtetit, pra parave tona, në rendin e 1 miliardë dollarëve. E askush nuk futet në burg. Ose edhe kur ndodh në të rradhë, marrin pafajësinë e bashkë me të, edhe miliona dëmshpërblim për “imazhin” publik të dëmtuar. E brenda burgut, jetojnë si pashallarë, me të gjitha të mirat e mundshme!
Dje, presidenti i vendit ftoi ministren e drejtësisë të japë dorëheqje për përfshirje në kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht, as që i shkon në mendje të hedh një hap të tillë. Sepse nuk ka moral, moral të asnjë kuptimi e lloji. Sepse të kishte moral, me vetëflijimin e 43- vjeçarit të harruar në një burg shqiptar në zemër të kryeqytetit, dorëheqja e ministres së drejtësisë duhej të ishte e para në rradhën e dhjetra dorëheqjeve e pse jo, arrestimeve. Sepse “krimineli” 43 vjeçar, që vodhi shumën “kolosale” 10 euro, paraqiti edhe një kartelë mjekësore për shëndetin e tij, të cilën “drejtësia e re” nuk e mori në konsideratë.
E ndërsa të gjithë grishemi, kush më shumë e më pak të largohemi nga ky vend i qelbur (për faj të atyre që e drejtojnë, ka marrë një kundërmim të padurueshëm!), teksa po përpiqemi të gjemë një motiv të vlefshëm për të zgjatur agoninë e mbijetesës në këtë vend, çdokush pyet se sa vlen jeta e një shqiptari në këtë vend? Sa e vlerëson shteti jetën e një qytetari shqiptar? Fatkeqësisht, çmimi është vënë. Tanimë është zyrtar! Vetëm 12 mijë lekë të vjetra ose 10 euro e diçka më shumë se 10 dollarë. Është çmimi i turpit të kësaj ngrehine që pavarësisht tërmeteve, nuk po shembet. Ngrehinë, që për ta mbajtur në këmbë për interesat e tyre, po bëjnë të gjitha përpjekjet, me kosto edhe jetën e shqiptarëve!
Tani të gëzohemi për 1.15 miliardë euro për rindërtimin nga termeti! Por as dhjetë herë aq nuk kthejnë atë që u mungon në familjen e një 43- vjeçari që ia imponuan ti japë fund jetës. /Nga Blerti DELIJA/