Vetëm ndonjë mrekulli mund ta pengojë të kalojë Adriatikun dhe të na “urdhërojë” edhe në Shqipëri. Por nuk ka vend për panik, aq më shumë se ne jemi shqiptarë! Përveç ADN-së, kemi edhe imunitetin e “stërvitur” në shekuj. Kur i mbijetuam “gripit spanjoll”, në një kohë kur nuk ishim akoma shtet i mirëfilltë, këtë koronavirusin nuk e kemi problem hiç. Edhe imagjinoni, në rreth 3 vite, nga 1918- 1920 “spanjoli” shfarosi në mbarë botën jo më pak se 50 milion njerëz. E po flasim për një Botë një shekull më parë. Prej asaj kohe, siç më tregonte i ndjeri profesor Skender Drini, mbeti edhe shprehja çdo mengjes, kur takohemi me njeri- tjetrin: Si keni njeh! Drini i madh thoshte se origjinali ishte “Sa keni njeh”, që sipas tij ishte transformuar pasi na kaloi “spanjoli” nga Shkodra. Njerëzit pyesnin me të drejtë “sa keni njeh (zbardhur, me gjuhë letrare) sot” ose “kur jeni njehur (numëruar), sa jeni”. Shkurt, a ju ka marrë “spanjoli” ndonjë gjatë natës.
Sot, situata është krejt ndryshe. Informacioni është më i gjërë, më i shpejtë, më i thellë dhe natyrisht edhe paniku, ndjek të njëjtin ritëm. Epidemia e këtij dreq virusi kinez që doli nga laboratoret “papritur”, ngjall frikë. Edhe pse mjafton të kontrolloni në internet dhe gjeni lehtësisht se gripi sezonal, ai që e kalojmë me aspirina, paracetamol, OKI apo në rastin më të keq me antibiotik, merr çdo vit në botë rreth 650 mijë jetë njerëzish. E ky koronavirusi, duket shumë “i lodhur” në shifra nëse krahasohet me gripin që ne ia shpërndajmë me qejf njëri- tjetrit fillimisht në shtëpi, pastaj në vendet e punës dhe nuk i druhemi për jetën.
Pasi iku “si papritur” nga një laborator aty në Wuhan të Kinës, tani po kthehet në “trend”. Një markë e njohur si “Fendi”, ka krijuar një maskë për tu mbrojtur nga koronavirusi dhe që kushton 190 euro, Mëndafshi kushton në fakt, sidomos në kushte të një paniku të pashpjegueshëm.
Koronavirusi, kur ka mbërritur në Itali, nuk është e vështirë të mendohet se do të hyjë në Shqipëri. Pasi ka udhëtuar miliona kilometra nga Kina, gjatë rrugës duket se do të jetë “lodhur” e sipas gjasave, edhe “miqësuar” e dobësuar në agresivetitetin e tij. Sepse kështu ka ndodhur edhe me SARS, gripin e pulës, gripin e derrit, lopën e çmendur e me rradhë. E kështu që, kur të vijë në Shqipëri, do të jetë më pak i dëmshëm edhe se gripi sezonal. Edhe ky i fundit, pavarësisht se nuk ka ndonjë statistikë të saktë, zyrtare e të besueshme, merr jetë edhe në Shqipëri. Sepse kështu e ka jeta! Ajo merr fund përveçse me aksidente rrugore, konflikte për pronën, në qeli pasi burgosesh se ke vjedh 10 euro, edhe me anë të gripit. Ndoshta është çeshtje e organizmit, por ne e kemi më të lehtë të themi “kështu e ka shkruar Zoti”. Edhe në rastin e koronavorusit, nëse do të ndodhë të humben jetë, sigurisht që e ka “shkruar Zoti” kështu. Përtej vullnetit të Tij, nuk mund të dalë askush. As Trump biles!
Kështu që, është e sigurtë se ne shqiptarët do ta marrim ne gajret. Deri në momentin, kur të na prish planet që kemi ne për këto ditë, sidomos deri me 2 mars! Nëse na krijohen probleme për shkak të koronavirusit, i mjeri virus kinez çfarë do të heqë. Pavarësisht se me kinezët kemi një “vëllazëri” mëse 50 vjeçare (të dytët pas turqve, mendoj unë), nuk do t’ia falim ndërhyrjen në “punët e brendshme” tonat. E sigurtë, në atë moment do ti vijë vdekja koronavirusit dhe nuk do të vuajë më askush në glob.
Pasi jemi shteti me “rritjen” ekonomike më “të madhe” në botë; me papunësinë “më të ulët” në historinë e njerëzimit; pasi po kërkojmë punëtotë nga jashtë sepse kemi vende të “lira” pune me shumicë; pasi e kemi në nivelin zero emigracionin drejt botës; pasi kemi shtuar 100% pensionet, ndihmën ekomonike, rrogat shtetërore; pasi kemi bërë edhe burgjet më “të mira” se edhe shtëpitë e pritjes në kohën e diktaturës, themi me gojën plot: Mirë se të vish o koronavirus në Shqipëri! Por do të pendohesh… /Nga Blerti DELIJA/