NGA ZIJA VUKAJ – Syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur…

“Heshtja e mençur e varrezave”- thotë një mistik. E kam dëgjuar kaherë këtë urtësi që prek gjithë thellësinë e cekët të qenies njerëzore; apo gjithë cektësinë e thellë të qenies. M’u kujtua ndoshta më qartë se kurrë mëngjesin e ditës së sotme, teksa po bëja një vizitë në varrezën e Rrmajit. Qysh në adoleshencë e kam vizituar me admirim këtë vend dhe gjithmonë kam qëndruar gjatë duke soditur këtë panteon të Shkodrës. Dhe emrin panteon e ka të merituar.

Sa duar skulptorësh kanë derdhur talentin dhe energjitë e tyre krijuese, në emër të dashurisë njerëzore, në emër të ëndrrës së njeriut për përjetësinë! Artistë gjenialë kanë shkarkuar artin e tyre për njerëz gjenialë. Prandaj më pëlqen ta quaj panteon. Shkoni aty pasi të jetë errur, kur sapo ka filluar muzgu. Do të ndjeni endjen e shpirtrave në eter. Dhe shpirtrat shfaqen dhe ndihen vetëm pasi të jetë errur nata, pasi të mos kenë frikë nga dritat dhe zhurmat vrastare të kësaj bote. Ajo që ju duket një heshtje e rëndë, në fakt është një simfoni shpirtrash. Lum kush ka shqisën ta dëgjojë. Sot në mëngjes shkova aty nga detyrimi për t’u njohur me vendin ku ndodhet varri i Ndre Zadejës.


Ndoshta të gjithë e dinë dhe unë përkulem para padijenisë sime, por pyeta shumë njerëz që janë marrë me veprën e tij, nga e cila kanë fituar edhe mastera e doktoratura, por një dyzinë të pyeturish sish, nuk mundëm të më drejtonin tek varri. Më ndihmoi vetëm një punonjës i varrezës, të cilin e falënderoj pa masë. Siç mund të shihet lehtë, varri ishte krejt i vetmuar në një qoshe pranë murit perëndimor dhe, nga vegjetacioni i barishteve dhe i bimëve të egra e të buta, kuptohej lehtë se aty nuk kishte shkuar kushedi qysh kur asnjë vizitor.

U ndala dhe sodita gjatë. Fërkova me shami foton e sfumuar prej porcelani. Pashë ndryshkjen e çdo pjese të varrit. Meditova për vlerat e tij të mëdha intelektuale, shpirtërore dhe patriotike; por meditova edhe për fatin e tij të zi. Meditova për patriotizmin deklarativ të strukturave kulturore të shtetit shqiptar e sidomos për zyrat e kulturës pranë bashkisë së Shkodrës, që bëjnë heroin dhe qajnë me lot krokodili. Duke parë përreth këtij varri të vobekët varre sa Piramida e Keopsit më kapi një trishtim i thellë për fatalitetin e qenies dhe m’u kujtuan vargjet e Nolit, që ai ia kushtonte Gurakuqit, por që vlejnë edhe për rastin tonë: “Syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur/ ky vigan liberator”

Por tani do t’i vë fre vrullit tim të spiritizmit e të kthehem në tokë.

Më datën 27.07.2022, ditën e mërkurë, Klubi Poetik i Tiranës, kryesuar nga shkrimtari Rexhep Shahu, do të jetë bashkë me ne pritësit, anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shodër në pelegrinazhin poetik, kushtuar shkrimtarëve të martirizuar. Ky pelegrinazh, i cili ka filluar prej kohësh dhe është realizuar në të gjitha viset shqiptare ku ka pasur martirizime artistësh të artit të fjalës, është demonstruar modestisht me vendosjen e tufave të luleve në varret e martirëve të fjalës dhe të lirisë. Në Shkodër do të përkulemi para varrit të Dom Ndre Zadejës në Rrmaj dhe pranë shpirtit të Padër Anton Harapit, i cili nuk ka varr, por ceremonia e pelegrinazhit do të jetë një përshpirtje në kishën e Shna Rrokut në Shirokë. /Nga Zija VUKAJ, publikuar në Facebook/