Merr fund “internimi” i Ilir Metës në Presidencë, ja çfarë pritet të ndodhë nga e hëna në karrierën e ish- presidentit

Pas 5 viteve, tashmë ish- presidenti Ilir Meta, ka rifituar “lirinë” e tij politiko- partiake. Zyrtarisht, rreth orës 19.45 të ditës së sotme, Ilir Meta i ka dhënë fund “internimit” të tij në Presidencë.

Me gjasë, ish- kreu i shtetit nuk do të bëjë as 24 orë pushim por do të rikthehet të riveshë mantelin e liderit të LSI- së, për të cilin është shprehur shpesh se i ka munguar.


Konventa Kombëtare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, që do të zhvillohet pasdreken e ditës së hënë datë, 25 korrik, në orën 19.00 në Pallatin e Kongreseve, pritet të risjellë Ilir Metën në drejtimin e kësaj force politike, pas përfundimit të mandatit të Presidentit të Republikës.

Nuk ka dyshime se Meta do të votohet nga ky organ i LSI- së, duke i marrë postin bashkëshortes Monika Kryemadhi, e cila ka hequr dorë nga gara me bashkëshortin për postin e kësaj force politike.

Ky rikthim është paralajmëruar muaj më parë, te hënën vetëm sa konkretizohet. Meta rikthehet kështu tek partia që ai e krijoi dhe e drejtoi për shumë vite me radhë duke e bërë forcën e tretë politike në vend dhe në disa mandate edhe përcaktuese të formimit të qeverive.

Me gjasë, pranë tij në rolin e këshilltarëve apo bashkëpunëtorëve të ngushtë, do të jetë edhe stafi i 5 viteve në Presidencë, teksa Tedi Blushi e ka paralajmëruar duke publikuar një foto me Metën, të cilën e shoqëron me tekstin “Sa shpejt ikën 5 vite. Kush pret edhe 24 orë! ✌️🇦🇱”.