NGA ALFONS GRISHAJ – Zgjedhjet në Amerikë dhe shqiptarët…

Zgjedhjet në SHBA kanë hyrë në një fazë të re. Demokratët padashur janë zhvendosur nga pozicioni i tyre tradicional drejt frymës së vjetër socialiste të huazuar ruse.


Sanders, Kortez etj. janë autorët e një qasjeje të re politike, e cila ka sjellë një impakt aventuresk në ndërgjegjen e të paformuarve dhe zonave që udhëhiqen nga demokratët. Dikush shfaqet me flamuj socialistë rus, disa të tjerë, me banderola, “Black Life Matter” (sikur, white life don’t matter, blue life don’t matter, bird’s life don’t matter etj…), të tjerë… me flamuj hitlerianë… Ca gangsterë me sloganin, ANTIFA! Egërsia e majtë ka prapa një filantrop të zi, George Soros-in, i cili njihet si armiku numër një i Republikanëve, … gjithashtu mjeshtër i kaoseve…

Në kohët moderne, shkatërrimi është rezultat i instrumentit të forcës së paguar… dhe veprimi efekt i impaktit të synuar.

Biden dhe liberalët, mundohen të mbajnë balancën në Partinë Demoktratike, e cila nuk ka më finesën, inteligjencën dhe largpamësinë e paraardhësve. Fizionomia e Partisë Demokratike tradicionale është transformuar sa zor t’i gjesh ndonjë tipar të antikomunizmit të dikurshëm për të cilin shquhej, ndërsa e ka ulur dukshëm flamurin e forcës mbrojtëse të të drejtave të njeriut. Tani ajo ka në gjirin e saj të gjithë kolonët e rrymave negative, duke humbur misionin autentik.

Pjesa dërmuese e medias, përjashto këtu Fox dhe disa zëra të pavarur, janë në delirium tremens. Të gjithë zërat kundër Presidentit, dhe pse bëhen pararojë e shkatërrimit të Amerikës, ata nuk ndalen deri sa të fundoset Titaniku. Qofsha i gabuar, por siç shihet… vetë kundërshtarët po e ndihmojnë Trumpin të lundrojë dhe për katër vite përmes akullnajave dhe politikave “akademike” standarte pa shpirt e novacion.

Mbështet ShkodraWeb Media

Në këtë kaos udhëkryqi pasionesh në ndërgjegjen e zgjedhësve… shqiptarët janë ndarë në dy grupime, demokratë dhe republikanë. Klasa e vjetër e ardhur në vite nga Dardania dhe viset e tjera, duke përfshirë dhe elemente të tjerë nga toka mëmë, ka dalë në krahun e demokratëve, për çka, në të vërtetë, nuk duhen gjykuar… sepse, demokratët i kanë shërbyer në vite çështjes shqiptare në përgjithësi. Ne nuk mund t’i shesim kurrë miq si Klinton, Engell, Peters e të tjerë, miq që kanë ndihmuar kauzën e kombit tonë. Një demonstrim kundër tyre do të ishte amoral. Por, politika krijon gjithnjë hapësira të reja që duhen respektuar dhe luajtur në mënyrë të ndershme dhe efikase për vendin tonë. Një përllogaritje e keqe ndëshkon pjesën e Dardanisë dhe viset e tjera jetike të kombit tonë.

Në grupimin e demokratëve ka dy lloj karakteresh, klasikë dhe hibridë. Klasikët janë pasionantë dhe nuk e shohin shkarjen e partisë që të gjithë e deshën!

Grupimi dytë brenda demokratëve janë hibritët, të cilët janë kolonë e pestë, duke ardhur nga familjet më të përlyera post-komuniste, apo pakicat kontraverse, të cilët kanë bërë gjithmonë rolin e minave.

Disa hiqen dhe si republikanë, por në fakt janë të majtë që kur lindi “Partia”. Vlen të përmenden shkrimet e ca mjeranëve (kandidatë apo anëtarë të PP-së ) që gjoja janë shkrimtarë, të cilët mashtruan shtetin amerikan kur mbushën formularin e pranimit të SHBA, duke bërë një krim që është i dënueshëm në bazë të ligjeve në fuqi. Këtyre kopukëve injorantë e gënjështarë që rreken për t’u bërë dikushi duke u shfaqur aty-këtu si intelektualë, të cilët kërkojnë të mbulojnë defiçencën astronomike intelektuale, herë me grup dhe herë të vetëm si gjarpëri, po ua them dhe njëherë: koha e mjeranëve ka vdékùr!

Republikanët, bazuar në ndërgjegjen konservatore unifikuese, shprehur nëpërmjet vlerave të familjes, besimit dhe patriotizmit, kërkojnë rikthimin e ndërgjegjes së cunguar amerikane, e cila po humb qëllimin dhe bekimin e formimit si shtet.

Forcat komuniste botërore, me në krye Rusinë dhe Kinën… dhe gjoja globalistët…, po përpiqen me të gjitha mjetet që të influencojnë në kontaminimin e ndërgjegjes dyzuese amerikane për t’ia dhënë votën humbjes së Amerikës. Shumë pak kush e kupton se, këtu nuk është lufta midis Trump dhe Biden, por lufta për të dobësuar Amerikën, ndikimin pozitiv të saj në botë me kulturën, ekonominë dhe, mbi të gjitha, modelin e lirisë.

Sikur njerëzit, mediat dhe politika të mendojë për një minutë të vetëm, duke i thënë ndërgjegjes, “ku jemi duke shkuar?”… e gjithë çorba e gatuar do të derdhej si jashtëqitje në gjirizet e Amerikës, duke u dekantuar nga bartja e trazuar e dyzimit…, dhe ky komb i bërë nga Zoti do të ndriçonte botën deri në kataklizmo.

Shqiptarët nuk kanë pse zihen me njëri-tjetrin për një kauzë e cila i përket popullit amerikan që ta zgjidhë. Ne jemi miq të Amerikës dhe do ngelemi të tillë. Rëndesi ka që shqiparët të ruajnë statusin natyral të besnikërisë ndaj shtetit që e ndihmoi për më tepër se një shekull. Miku i mirë njihet në ditë të vështira. Por gjithashtu, le të edukohemi që mendimin e tjetrit (pa bisht) ta respektojmë si një e drejtë e sanksionuar në të drejtat e njeriut dhe rregullat e demokracisë botërore. /Nga Alfons GRISHAJ, Zëvendëskryetar i Vatrës/

© ShkodraWeb Media - Të gjitha materialet në këtë faqe mund të përdoren nga media të tjera, duke përmendur emrin e burimit të informacionit nga janë marrë.

ShkodraWeb Channel