Konsiderohet shqiptari më i pasur në botë, Behgjet Pacollit do ti kontrollohet pasuria prej mbi 740 milion euro

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka treguar se Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë do të kontrollojë pasurinë e tij. Me anë të një postimi ne Facebook, ai thotë se mirëpret diçka te tille, duke u shprehur i sigurt se pasuria e tij është vene me pune.

“Sot me ra shorti i Agjencisë Kundër Korrupsionit për kontrollim të pasurisë. E mirëpres e shpresoj se do ta kuptojnë se pasuria krijohet me punë e jo brenda natës”, shkroi Pacolli në llogarinë e tij në Facebook.


“Sa mirë kur je i pastër si loti, e ke frikë vetëm nga Zoti”, shtoi ai.

Behgjet Pacolli është deputeti më i pasur që ka Kuvendi i Kosovës në këtë legjislaturë.

Sipas formularit për deklarimin e pasurisë që ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, pasuria e Pacollit sillet diku rreth 743 milionë euro.

Pacolli ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë 210 milionë euro. Këtu përfshihen shtëpi, toka dhe hotelet. Vetëm një shtëpi e tij kushton gati 18 milionë euro.

Për hotelin “Swiss Diamond” ka thënë se ka vlerë 42 milionë euro.

Tek pasuria e luajtshme, Pacolli ka deklaruar avionin, për të cilin thotë se kushton 8 milionë euro. Përveç avionit, ka deklaruar edhe tetë veturat e tij.

Në total, vlera e pasurive të luajtshme sillet rreth 8 milionë e 504 mijë euro.

Pacolli posedon edhe shumë aksione në shoqëri komerciale. Vlera e tyre sillet rreth 506 milionë euro.

Vetëm në Mabatex Group ka aksione në vlerë 200 milionë euro, për të cilat ka deklaruar pronësi të përbashkët.

Shuma e parave që Pacolli e ka në banka sillet rreth 10 milionë euro. Por, milioneri Pacolli ka edhe një kredi.

Ai ka deklaruar një kredi në vlerë 287 mijë e 971 euro, që thotë se e ka marrë për investime private. Ka afat që ta kthejë deri në vitin 2025.

Ndërkohë, si të hyra vjetore i ka deklaruar gati 4 milionë euro.