NGA YMER BALA – Si bahej dikur humor në estradat tona…!

Lexova sot në Facebook një njoftim për inagurimin në Shkoder të rruges Gjosho Vasija. E kishte postue, Angela, e bija! M’u gëzue zemra e m’u kujtue nji “histori”!

Mbas 40 e sa vjetësh rri e mendoj:


Si ka mundësi që aktoret e famshëm të Estradës së Shkodrës si Tano Banushi, Zyliha Miloti, Jolanda Shala, Katerina Biga, Drande Xhaj, Paulin Preka, Gjosho Vasija, Zef Deda, Gëzim Kruja, Besnik Çinari, Edmond Halili dhe mjaft amatorë të tjerë, njeni ma i mirë se tjetri…të bajshin me qeshë pa përdorë as edhe një fjalë apo shprehje banale?!

Si ka mundësi?!

A thue na ishim “të marrë” që qeshnim prej batutave të tyne sepse thonë që “i marri qesh kot”?! Si ka mundësi, mre jahu’, të paktën atë shprehjen e sotme “Fuck You” ta kishim ndigjue!

…Në vitin 1980 trupa e Teatrit “Migjeni” shkoi për të parën herë në Kosovë me dramen “Baca i Gjetajve” e dramaturgut Fadil Kraja, me regjisor Serafin Fanko, ndjesë paçin. Një ngjarje e madhe për atë kohë. Me ne erdhën edhe Tanoja me Gëzimin. Ata do të jepnin “shfaqje” mbas shfaqjes tonë, në banketet që do të na shtronin vëllaznit tonë shqiptarë kosovar deri natën vonë. Eh, çfarë banketesh!

Ta sillte kamarieri copën e byftekut sa nji shalë biciklete gjermane “Mifa”! Ishim të rreshkun e të unshëm në vitet 80- të! Aty e piva për të parën herë në jetë Coca- Cola apo Kokn’ e Kolës, vetë! Nejse…

Kur tregonte Tanoja grimcat e tija humoristike, ashtu siç dinte vetëm ai, vllaznit tonë shqiptarë të Kosovës, mbanin barkun me dorë! Edhe qeshnin, edhe qanin! Bashke me ta qanim e qeshnim edhe na!

Gëzim Kruja nuk ishte atë natë në formë…e kishte një arsye sepse nuk e kishte pranë partnerin e tij, komedianin brilant, Gjosho Vasinë i cili nuk e kishte kalue “klasën” me ardhë me ne…ose si me thanë: e kishin mbetë në klasë! Mire ia kishin ba!Po, pse, Gjosho Vasinë do të merrnim ne me vedi “jashta shtetit”?! Prite i “madhi” Zot, shoku Enver! Tamam besa…me na ba “agjitacion e propagandë” ai Gjosho “mavria” e me kujtue shqiptarët kosovarë se sa poshte paska ra Shqipnia !

Gëzim Kruja dhe Gjosho Vasija

…Gëzimi kishte luejt ato ditë në Shkoder një skeç me Gjoshon, i cili ishte prit shumë mirë. Nuk më kujtohet titulli dhe autori por aty interpretonte rolin e mësuesit Gjoshoja e atë të nxanësit Gëzimi.

“Ah, sikur ta kisha Gjoshon sonte!”, mendonte Gëzimi i cili, për çudinë time, m’u afrue e më tha:

– Ymer, a e ke pa skeçin qe kam luejt me Gjoshon?
– Po, mor Gëzim , si s’e kam pa, i thashë une e qesha me të madhe.
– A po ma ban një nder pra? A po e ban ti Gjoshon sonte?
– Unë me ba rolin e Gjoshos?! Çka thue mor burrë? Jo, mor Gëzim, s’ jam unë për atë punë!
– Të lutem shumë. Te due fort. Ti vetëm do pyetje ke me më ba e të tjerat m’ i len mue.
– Gëzim, a po më len t’a pij rehat i’ kyt gotë venë?!

…Kur pashë se iu mbushën sytë me lot, u bana “esëll” dhe vendosa me e ndihmue…fundi i fundit nuk po dilja në skenë! Ishim mes miqsh, tuj ngranë e tuj pi “çka po don moj mollë”! I shkrueva pyetjet në një letër me të cilën fshihen buzët dhe, me të në dorë, dola dhe e prezantova Gëzimin, të cilin e pritën me ovacion!

…Shkurtimisht po u’ a paraqes atë skeçin aq sa mbaj mend, sepse kanë kalue 40 e sa vjet!

Mësuesi : Gëzim, a rrotullohet bota?
Gëzimi : Po, mësues, rrotullohet që ç’ ke me të.
Mësuesi: Shumë mirë…po rreth kujt rrotullohet?
Gëzimi : Bota rrotullohet, pra…a ta thashë?

Mësuesi: Mirë, mirë…se po të ndihmoj unë! Bota rrotullohet rreth di…di…di…?
Gëzimi : Rreth Dibrës! (të qeshuna)
Mësuesi: Jo, jo…përqendrohu Gëzim. Rreth di…di…di?
Gezimi : Rreth DIDIDIHIT (D.D.D.)! (Di-di-di i kemi pas thanë një pluhuni të bardhë, kimikat, i cili shërbente me dizinfektue kokën për parazitët. Y.B. )

Mësuesi: Jopra, jo…po hë mor Gëezim…rreth di…di…di…? He!
Gëzimi: Rreth Din Zhegës mësues. (Të qeshuna)
Mesuesi: Po, jo mor Gëzim… Bota rrotullohet reth Diellit.
Gezimi: Po, mësues, të lumtë…bota rrotullohet edhe rreth diellit!

Mësuesi: Kalojmë në pyetjen tjetër: Çfarë produktesh na jep delja Gëzim?
Gëzimi: Delja? Çka asht kjo pyetje mor mësues?! Po ajo dihet që delja na jep qumështin…
Mësuesi: Shumë mirë…
Gëzimi : Na jep mishin…

Mësuesi: Shumë mirë…tjetër? Çka marrim prej deles?
(Mësuesi donte me e ba Gëzimin me thanë që delja na jep leshin por Gëzimi nuk e hante atë “tek”!)
Gëzimi: Ta thashë pra…a ke ndonji pyetje tjetër se na lodhe!?
Mësuesi: Mirë, po të ndihmoj unë: Ku flen ti Gëzim?
Gëzimi: N’ shtrat mor mësues…pse ti ku flen, n’ hatlla a?!

Mësuesi: Mirë, mirë…Çka ka shtrati?
Gëzimi: Shtrati?! Shtrati ka batanijen.
Mësuesi : Bukur…po…nën batanije?
Gezimi : Çarçafin mor mësues.

Mësuesi: Po nën çarçaf?
Gëzimi : Nën çarçaf vi unë. (Të qeshuna)
Mësuesi : Po mbas teje, nën të çka vjen?
Gezimi : Vjen çarçafi tjetër.

Mësuesi: Hë, hë…po nën të?
Gëzimi: Vjen dysheku.
Mësuesi: Hë, hë…aty më rri. E me çka asht i mbushun dysheku Gëzim, eee? Çka ka mbrendë dysheku i yt prej delës, eee?
Gëzimi : Pambuk. (Të qeshuna)

Mësuesi: Po jo mor Gëzim, jo…nuk ka pambuk…dysheku ka lesh e leshin na e jep deeeljaaa!
Gëzimi : O mësues…mos u ban tuaf! A e din ti se çka ka mbrendë dysheku im apo une që flej për natë në të?!

Epilog: Kanë kalue shumë vjet nga ajo natë e paharrueme dhe…nga një herë, kur shtrihem në shtratin tim të butë, më kujtohet ai dysheku i Gëzimit me pambuk! /Nga Ymer BALA, aktor, publikuar në Facebook, përgatitur për botim nga ShkodraWeb/