Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, ka bërë një lëvizje të papritur. Me konsensusin e nëntë antarëve, është miratuar dërgimi për opinion në Komisionin e Venecias të “shkeljeve kushtetuese” të Presidentit Meta. Lëvizja surprizë mund të lexohet në disa mënyra, por e para lidhet me Gjykatën Kushtetuese. Edhe pse u parashikua që ajo të ishte e formësuar brenda muajve të verës (madje u përmend edhe fundi i muajit korrik), sipas gjasave duhet të presim akoma për ngritjen e saj.
Leximi i dytë lidhet me “zbutjen” e qëndrimit të mazhorancës për kreun e shtetit. Madje, mund të aludohet deri në tërheqje të mundshme, duke shpresuar që Komisioni i Venecias, i cili nuk shquhet për përgjigje të shpejta dhe sidomos në këtë sezon veror pushimesh, të kapërcejë afatin tre mujor të jetëgjatësisë së Komisionit Hetimor. Nuk do të ishte hera e parë që një komision hetimor “do të dështonte” misionin e tij të dhënë nga Kuvendi. Rastet janë disa në këto 30 vite dhe një më shumë, nuk e prish imazhin e parlamentit.
Leximi i tretë lidhet me goditjen e Metës, rrjedhimisht edhe dekreteve të tij për anulimin e 30 qershorit, nga një institucion ndërkombëtar suprem sa i takon interpretimeve kushtetuese. Indirekt, duke gjykuar për “shkeljet kushtetuese” të Presidentit, Komisioni i Venecias mund të shprehet edhe për vlefshmërinë ose jo të dekreteve të Metës për anulimin e 30 qershorit por edhe për 13 tetorin si datë e zgjedhjeve vendore.
Komisioni i Venecias është një organizëm që lëviz ngadalë. Në rastin e Shqipërisë, ai ka mundur të kthejë përgjigje për një opinion të kërkuar brenda dy muajve nga kërkesa për interpretim. Por kohët e fundit, Komisioni i Veneciat ka bërë një ndryshim duke krijuar mundësinë e kthimit të përgjigjes edhe brenda një kohe më të shkurtër. Por koha kur i dërgohet kërkesa për interpretim të “Komisionit Meta”, nuk është shumë e përshtatshme kur dihet se muaji gusht përgjithësisht është periudhë pushimi total.
Ndërsa mazhoranca ka ndryshuar qasjen ndaj Metës me 180 gradë, Presidenti vazhdon linjën e tij të ashpër ndaj saj. Në pak orë, kreu i shtetit ka kthyer 3 ligje për rishqzrtim në Kuvend, duke lënë të kuptohet se beteja e tij nuk njeh ndryshim kursi. Ditën e sotme, Presidenti ka zhvilluar një takim edhe me kreun e opozitës Lulzim Basha, ndërsa në orët në vijim, pritet të ketë komunikime të palëve direkt ose indirekt mbi atë çfarë është diskutuar e që sigurisht, lidhet me situatën aktuale në vend.
Pavarësisht kohës që mund të arrijë, opinioni i Komisionit të Vencias nuk është detyrues por orientues për institucionet në vend. Edhe pse interpretimi i asaj që do të sjellë “Venecia” ka përsëri rëndësinë e vet, ky organizëm mund të japë “një dorë” të mirë në zgjidhjen e besueshme të krizës institucionale në vend. Të paktën në pjesën juridiko- kushtetuese të saj. Por në politikën tonë ka edhe një “aksiomë” që me arrogancë qendron në këmbë: Nëse kërkon që një çeshtje të mos zgjidhet, ngrini në Komision Hetimor?! /ShkodraWeb/