Justifikimi i mekur në parlament se pjesëmarrja në votimet e 30 qershorit ishte brenda pritshmërisë së tij, nuk po e shpëton dot kryeministrin ilegjitim nga makthi se 85% e shqiptarëve e bojkotuan farsën e tij moniste, por edhe se rreth 100 mijë votues për kryetar bashkie e këshillat bashkiakë, i nxorën votat të pavlefshme. E gjitha në një proces ku vetë ishte edhe kandidat, edhe komisioner, edhe vëzhgues, edhe numërues, e madje edhe zyrtarizues rezultati përmes katër veglave të tij në KQZ. Një panoramë që prej 2005-ës, e shohim në Partinë Socialiste, e prej katër muajsh edhe në parlament, me sfidantë të porositur që falënderojnë bamirësin për mundësinë.
Për këtë farsë moniste kishte bindur edhe ndërkombëtarët, se do ishte “triumf i demokracisë“, ndaj precedentit “të rrezikshëm“ të djegies së mandateve e bojkotit të zgjedhjeve.
Pas tre dekadash pluralizëm, në Shqipërinë prej një dekade vend i NATO-s, u mbajtën votimet moniste, si ato të para vitit 1990. E pabesueshme, por asaj farse iu shkua deri në fund, edhe nën bekimin e kujt besoi, se shqiptarët do marramendeshin ende nga përrallat e Edi Ramës, se opozita e presidenti po konspironin kundër hapjes së negociatave e reformës në drejtësi. Për t’i bindur edhe shqiptarët njëlloj si ndërkombëtarët, Edi Rama xhiroi për 30 ditë nëpër Shqipëri, herë si klloun, herë si komedian amator, herë si fallxhor filxhani duke mallkuar Bashën, Berishën, Metën e Kryemadhin, që po i nxinin faqen Shqipërisë e dëmtonin reformën në drejtësi nga e cila kishin frikë, ndërsa Rama ishte “fanari ndriçues“ drejt Europës edhe përmes reformës në drejtësi. Në fakt, se si është katandisur drejtësia në Shqipëri, mjafton të bëhet krahasimi se çfarë ndodh me personazhet e përgjimeve të dosjeve 339 e 184, përfshi vetë kryeministrin apo dosjen e megakorrupsionit të unazës së re dhe çfarë ndodh me këdo, që ngre krye ndaj regjimit që kryeministri kërkon të instalojë. Të parët i ka në krah, e madje u mburr pacipësisht publikisht per efektin “tërmet“. Të dytët provojnë prangat, sepse e njëjta drejtësi që hesht për të parët, duket 24 orë në gatishmëri për të dytët. E për këtë realitet kokëfortë, meritën ekskluzive e ka vetëm ky kryeministër.
Nga ana tjetër, interpretimi i dobët i rolit të shpëtimtarit në skenën e votimeve, solli efektin normal e të pashmangshëm: qytetarët e braktisën shfaqjen, sepse i neveriti prova gjenerale që panë!
Nuk e ndihmoi as gjithë mbështetja ndërkombëtare, si për asnjë qeveri më parë, në emër të stabilitetit në vend, për të mos krijuar precedent me bojkotin si të parlamentit ashtu edhe të zgjedhjeve vendore. Ç’ka ky kryeministër nuk llogariti ishte një tjetër bojkot, ai i qytetarëve që në masën 85% refuzuan votimin farsë, që po u paraqitej si standard demokratik. Ikën në plazh a ndenjën në shtëpi, ndërsa një pjesë e atyre që u shantazhuan me vendin e punës për të shkuar në kutitë e votimit, bashkë me familjarët e tyre, i dhanë shkelmin më elokuent, i kuptueshëm në çdo gjuhë të botës, afro 100 mijë vota të pavlefshme për kryetarë bashkie e këshilla bashkiakë. Më qartë se kaq shqiptarët nuk kanë folur ndonjëherë. Më të bojkotuar se ky kryeministër, nuk ka patur ndonjëherë në historinë e pluralizmit, me gjithë mbështetjen ndërkombëtare e të pushtetit përmes policisë politike ndaj kujtdo që ngriti krye.
Një rebelim elokuent, të cilin kryeministri ilegjitim nuk e kishte parashikuar. Nuk e kishte imagjinuar se shembulli i forcës nuk funksionon në Shqipërinë e vitit 2019, kur shqiptarët kanë njohur lirinë prej tre dekadash, edhe pse ky kryeministër po ua kufizon pak nga pak prej 6 vitesh. Votat e pavlefshme ishin rebelimi i administratës së pari, e cila vuan prej 6 vitesh në mënyrë direkte injorancën e makutërinë e të zgjedhurve të partisë në krye të saj.
Injorimi me të cilin u përball edhe në Samitin e Poznanit, rezultat i vetëm i së cilit ishte një foto me Angela Merkel, ndërsa homologët e tij morën miliona euro investime për vendet e tyre, tregon makthin e një kryeministri, që po kërkon një rrugëdalje, pas poshtërimit publik të 30 qershorit.
Ndëshkimet që kanë nisur në strukturat socialiste për votat e pavlefshme e pjesëmarrjen e ulët, janë sinjali se sa i paparashikuar ka qenë ky realitet qytetar. Lëvizja për shkarkimin e presidentit, pasi krijoi precedentin e shpërfilljes së dekreteve presidencialë, edhe nga trupa thjesht administrative, është vetëm zbatimi qesharak i vullnetit inatcor, ndaj një institucioni që po i reziston. Nga ana tjetër, paralajmërimet se po përgatiten ndryshime në kabinet, i ngjan fiks djersëve të ftohta, që kaloi me protestat e studentëve, duke ndryshuar një të tretën e qeverisë, edhe i madh e i vogël në këtë vend, e ka të qartë peshën e kryeministrit në secilën ministri.
Edi Rama vuri një bast të madh me ndërkombëtarët, se më 30 qershor populli opozitar nuk do u bindej liderëve të tij, atyre katër njerëzve që përgojonte qytet më qytet se po mbanin peng vendin. Në fakt, populli opozitar jo vetëm që rezultoi i unifikuar në 30 qershor, por edhe elektorati gri, që mund të ketë rezervat e veta të drejta për opozitën, e bojkotoi çmendurinë e votimeve farsë.
Për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, rrugën normale për çdo homolog të tij europian, Edi Rama mund të provojë lloj-lloj akrobacish, të reja a të vjetra, por dy fakte thelbësore janë aty e tejet kokëforta. Së pari, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme, sepse manipulimin e ka ves, edhe kur garon e administron krejt i vetëm. Së dyti se në qëllimin për të shkatërruar opozitën, siç pranoi në një sms për Ilir Metën, ka mbetur i vetmuar me paranojën e tij për të hyrë 30 vjet me vonesë në historinë e pluralizmit shqiptar.
Në fakt po hyn në histori, por si njeriu që prej 21 vitesh në politikë, po përdor pushtetin për komplekset e të shkuarës. Në vend të opozitës, po ia del me sukses të neverisë PS tek mbështetësit e saj, edhe ata më besnikët e orëve të para. /Nga Bardh SPAHIA, ish- deputet i PD Shkodër/