ShkodraWeb ka mundur të sigurojë shkresën me të cilën Valdrin Pjetri, i votuar si kryetar i Bashkisë së Shkodrës me 30 qershor, dha dorëheqjen. Sipas dokumentit të siguruar nga ShkodraWeb, Pjetri ka dhënë dorëheqjen dy ditë pas publikimit të dokumentave nga PD për dënimin e tij në Itali. Në të njëjtën ditë që ka shpallur në Facebook dorëheqjen, Pjetri ka firmosur edhe shkresën përkatëse për institucionet. Teksti i dorëheqjes ka vetëm pak rreshta dhe i drejtohet KQZ-së, Këshillit të Ministrave dhe për dijeni Prefektit të Qarkut Shkodër Çesk Millja. Në shkresë thuhet: “Unë Valdrin Luigj Pjetri, dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër si dhe nga shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë në mbledhjen më të parë të këshillit bashkiak Shkodër. Data:15.08.2019, Me respekt Valdrin PJETRI”.
Pasi ka marrë këtë shkresë, Prefekti i Qarkut Shkodër Çesk Millja, të nesërmen, me 16 gusht ka thirrur mbledhjen e konstituimit të Këshillit Bashkiak të dalë nga 30 qershori. Mbledhja u zhvillua me 19 gusht dhe vazhdimi i historisë është aktualitet.