Emisioni investigativ “Le Iene” në Italia 1, do të përcjellë sonte një episod që lidhet me dramën e shqiptarëve në kampet në Siri. Pas 5 viteve, Afrim Berisha ka mundur të përqafojë djalin e tij Alvinin në një kamp në vendin e përfshirë sërish ditët e fundit nga lufta.
Historia e Alvinit është vërtetë e dhimbshme. Në dhjetor të vitit 2014, nëna e tij Valbona Berisha e merr fshehurazi burrit të saj, Afrim Berisha dhe shkon me të në Al Baba në Siri.
Atje e priste një xhihadist nga Maqedonia, të cilin gruaja shqiptare e kishte njohur në Facebook. Tre vite më parë, gazetarët e emisionit “Le Iene”, së bashku me Afrim Berishën, babain e Alvinit, shkuan në Gaziantep dhe nga aty në vijën kufitare me qytetin Kobane, por nuk kishte asnjë mundësi për të gjetur fëmijën. Në atë kohë, disa persona, të cilët u prezantuan si shërbimi sekret turk, kërkuan 250 mijë euro por rezultoi se ishin mashtrues.
Para disa kohësh Afrim Berishës i vjen një letër nga Kryqi i Kuq. Djali i tij Alvini është gjallë dhe ndodhet në kampin e Al Hol në Siri. Përsëri, emisioni “Le Iene”, u organizua dhe morën rrugën për në Siri. Frika për të mos e gjetur Alvinin ishte e madhe sepse kishte 70 mijë persona në këtë kamp.
Një tjetër vështirësi ishte futja në kamp. Kishte rradhë pritje shumë të madhe, familjarë që kërkonin të afërmit e tyre por edhe media. Në momentin kur u bë kërkesa për Alvinin, për ta marrë nga kampi, ajo u refuzua. Duhej të ishte një autoritet shqiptar që të kryente procedurat.
U kontaktua me ambasadorin e Shqipërisë në Turqi Genti Gazheli, i cili i kërkoi grupit të “Le Iene” të largohen me urgjencë ga aty se fëmijën, Alvinin tashmë 11 vjeçar, do ta merrte ai. Por pas disa ditësh, ambasadori mbylli edhe telefonin… Fatmirësisht, përkthyesi që shoqëronte grupin kishte shumë lidhje dhe brenda dy ditëve, u bë e mundur që gjërat të lëviznin.
Pas 5 viteve, Afrimi arrin të përqafojë sërish të birin, sot 11 vjeçar. Emocione që fjalët por as edhe video e “Le Iene” nuk i përshkruajnë dot. Alvini ia arriti të takojë babain e tij por si ai janë edhe Eva e Edri Dumani e dhjetra fëmijë të tjerë.
Është detyrim i qeverisë që të kthejë pranë familjeve dhe të afërëve të tyre fëmijët e gratë, të cilat në të gjitha rrethanat janë të pafajshëm. Rasti i Alvinit por edhe shembulli që dha “Le Iene”, duhet të jenë këmbanë alarmi duke nisur nga kryeministri i vendit.
Të plotë, rastin e Alvin Berishës mund ta ndiqni sonte në emisionin “Le Iene” në Italia 1 në orën 21.30. /ShkodraWeb/