Vetoja e Francës bllokon nisjen e negociatave të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke vënë në dyshim krejt procesin e zgjerimit europian. Samiti i BE-së, përjashto ndonjë surprizë, nuk do të jetë në gjendje ti japë dritën jeshile dy vendeve ballkanike pavarësisht një mazhorance të madhe të partnerëve europianë që janë në favor të rekomandimit të formuluar nga Komisioni Europian. Përveç Francës, atë që frenojnë janë edhe Holanda e Danimarka, por që janë kundër vetëm Shqipërisë.
Thirrjet e përsëritura të Komisionit dhe të Parlamentit të BE-së dhe mesazhet nga Tirana e Shkupi duket se nuk kanë shkaktuar asnjë efekt mbi presidentin francez, që këmbëngul dhe vazhdon të kërkojë fillimisht reformimin e të gjithë makinerisë vendimmarrëse të BE-së për ti dhënë zgjedrimit kredibilitet më të madh. Vetëm atëherë portat e Europës mund të hapen për vendet të reja. Një pozicionim ecën paralel me nevojën e Macron për të mbajtur të frenuara forcat populiste të brendshme.
Kartën e fundit mbi tryezë për të ti ndryshuar mendimin presidentit francez, e ka hedhur Finlanda, që mban presidencën e rradhës të BE-së, me të ashtëquajturin “decoupling”, ndarjen e fateve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sakrifikimi i Tiranës e shpëtimi i Shkupit në tentativën e fundit për të mos destabilizuar rajonin. Nëse liderët e BE-së nuk do ti hapin dritën jeshile negociatave, “qeveria jonë do të jetë e vdekur”, ka nënvizuar kryeministri maqedon Zoran Zaev. Por opsioni i ndarjes së fateve të dy vendeve nuk duket se gjen mbështetjen e Parisit dhe disa shteteve si Italia, që kërkon një dritë jeshile për dy vendet.
Ky frenim nuk do të mirëkuptohet nga qytetarët shqiptarë dhe maqedonas, ka paralajmëruar presidenti i Parlamentit të BE-së David Sassoli. Në rast të një tjetër shtyrje- do të ishte hera e tretë në dy vjet- do ti takojë një Komisioni të ri të BE-së të mbajë gjallë shpresat e Ballkanit, me presidenten e zgjedhur Ursula von del Leyen që deklarohet vendosmërisht e bindur që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut “kanë bërë përpjekje të mëdha për t’iu afruar standarteve europiane dhe meritojnë një sinjal pozitiv”. /Marrë nga ANSA, përkthyer nga ShkodraWeb/