Një takim i zhvilluar në zyrën e kryebashkiakut të Shkodrës Bardh Spahia dhe i përcjellë si lajm në ShkodraWeb, ka hapur një debat publik disa ditor në rrjetet tona sociale. Po diskutohet me emocione të forta, jo radhë edhe deri në radikalizëm, lidhur me mundësinë e vendosjes së memorialit të Lek Dukagjinit në një nga sheshet e qytetit.
Iniciativa është e një grupi personash, një pjesë që jetojnë edhe jashtë vendit, me origjini nga treva e Dukagjinit. Ajo i është propozuar kryetarit të Bashkisë Shkodër, ndërsa pohohet se ka nisur puna për realizimin e memorialit. Por ndërkohë, ka nisur “lufta” të jetë apo të mos jetë ai memorial në Shkodër, a duhet të vendosen të tjerë para tij apo jo?
Siç ndodh rëndom në këtë vend, flasin të gjithë, jep opinione çdokush, edhe me frymë përçarëse fetare, por nuk flasin profesionistët. Në këtë rast, janë historianët të cilët nuk ndjehen. Për hir të realitetit, mbase dikush edhe duhet ti thërrasë e kërkojë mendim. Janë ata që mbase më mirë e saktë se askush, mund të krijojnë një kontur të figurës së Lek Dukagjinit, përtej asaj që është mësuar në librat e shkollës së para viteve 1990 dhe që retushohej sipas interesave të diktaturës komuniste.
Lek Dukagjini është bashkëkohës i Gjergj Kastriot Skenderbeut, të cilin në të gjitha etapat e jetës së Shqipërisë e shqiptarisë, nuk ka cuxuar t’i vendosë në dyshim titullin “Hero kombëtar”. Edhe pse shumë e shumë dekada para ditëve të sotme, mundësitë për të hedhur dritë mbi Lek Dukagjinin, aktivitetin e tij, meritat apo të metat, ekzistojnë.
Nëse fondet arkivore të Shqipërisë janë të mangëta, me gjasë ekziston akoma mundësia e hulumtimit të arkivave jashtë vendit tonë. Edhe për periudha e figura të tjera, madje edhe për Gjergj Kastriot Skenderbeun, më shumë ka patur dokumente në fondet arkivore të shteteve e vendeve që janë ngritur, ndërtuar e përparuar më shumë se ne.
Për tu rikthyer tek hierarkia e vlerave apo edhe e individëve që meritojnë të kenë një memorial/ bust në Shkodër, është një fushë ku duhet gjykuar me gjakftohtësi, larg emocioneve individuale apo të grupimeve. Historia e Shqipërisë të paktën por edhe e vendeve të tjera, ka treguar se është e vështirë të gjesh një personalitet me ndikim për periudhën që ka jetuar apo reflektimin që mund të ketë lënë pas vdekjes.
Çdo personalitet, ka dritëhijet e tij. Një pjesë e “tifozëve” i kujtojnë “hijet” e një pjesë tjetër i përmendin “dritën” që mund të ketë rrezatuar. Kështu mund të jetë edhe në rastin e Lek Dukagjinit. Lek Dukagjini nuk ka më asnjë mundësi të retushojë apo ndryshojë emrin, historinë e tij, as pamjen që ka ardhur deri sot, as besimin fetar që praktikonte, çdo gjë ka mbetur e fiksuar arkivave tona apo të huaja. Prandaj është domosdoshmëri të flasin profesionistët, historianët por edhe hulumtuesit e arkivave shqiptare e të huaja.
Nuk është shumë e logjikshme të debatohet në rrjete sociale bazuar në idenë se “i takon X apo Y personazhi të ketë një memorial në Shkodër përpara një Z personazhi tjetër”. Sepse mbetemi tek opinionin më shumë emocional i një individi apo grupi të caktuar. Shkodra ka patur dhe ka vend për të nderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për të, brenda apo jashtë “vijave të verdha”, në të gjitha periudhat e historisë së saj.
“Beteja e busteve” nuk ka nisur dhe nuk mund të nisë me Lek Dukagjinin. Ajo është më e hershme, thuajse në çdo etapë të zhvillimit të Shkodrës e Shqipërisë. Diktatura komuniste glorifikoi, edhe përmes retushimit të “hijeve” figura të panumërta. Në jo pak raste, siç u verifikua pas vitit 1990, u sajuan heronj që nuk kishin ekzistuar as fizikisht.
A ju kujtohet debati për bustin e Nën Terezës, sot Shën Tereza e Kalkutës?! Sa “beteja” publike dhe institucionale u konsumuan, të vendoset apo jy në hyrje të qytetit, të vendoset në X apo Y shesh të qytetit? Imagjinoni, debat për një figurë të përbotshme, me ndikim të jashtëzakonshëm në mbarë globin, familja e të cilës dhe ajo vetë për disa kohë, jetuan në zemër të qytetit të Shkodrës!
Pas 1990- ës, nuk është se pati ndonjë ndryshim të madh. Rrugëve e shesheve të Shkodrës, u vendosën buste e memoriale të individëve me kontribut minimal për Shkodrës. Për të mos thënë pa asnjë kontribut. Ata ishin shqiptarë e të huaj. Mjaftonte që dikujt që “kishte diçka në dorë” ti shkonte mendja, dhe fap e fap mbinte busti para syve tanë e askush nuk shqetësohej.
Temë më vete është edhe ajo e titujve të nderit, me të cilët Shkodra përmes Këshillit Bashkiak ka nderuar në vite personalitete me kontribute për këtë qytet e rajon. Personifikimi më i saktë i kësaj katrahure është shprehja e një ish- këshilltari bashkiak, kur e pyetën se “çfarë ka bërë filani që u shpall ‘Qytetar Nderi’ i Shkodrës” me përgjigjen: Ka ba kërkesë!
Para disa viteve, u bë riemërtimi i rrugëve të Shkodrës, në qytet kryesisht. Pas këtij procesi, mbinë shumë tabela rrugësh me emra që jo vetëm nuk ishin shqiptarë, por dukshëm tingëllonin në gjuhë të huaja, duke nisur që para mesjetës deri në ditët tona. Jo vetëm kaq. Duke nisur nga emrat e rrugëve, qyteti u nda si me thikë, ku në disa zona nuk lejoheshin disa emra e në të tjera, emra të tjerë. Lek Dukagjini, pikërisht u largua nga një rrugë dhe u vendos tek një tjetër, ashtu siç edhe shumë të tjerë. Ata që jetojnë në Shkodër të paktën 30 vitet e fundit, e konstatojnë lehtë këtë fakt.
Në Shkodër kanë ekzistuar, janë vendosur e do të vendosen buste/memoriale të individëve me kontribute nga pak deri në zero. Madje, edhe të atyre që nuk iu ka rënë asnjëherë rruga nga Shkodra ose që vetëm janë vrarë këtu, jo për ta mbrojtur qytetin apo rrethinat. Sigurisht që ka patur e ka personalitete që e meritonin/ meritojnë të kenë memorialin e tyre në Shkodër para atyre që e kanë tashmë. Mirë do të ishte të vendosnin profesionistët, historianët. Kështu edhe “tifozllëku” i rrjeteve sociale, ndarja në skuadra pro e kundër, do të ishte më i vogël, me më pak ekstremizma që fatkeqësisht po i konstatojmë në rastin e figurës së Lek Dukagjinit këto ditë.
Figurat historike, meritat e të metat e mundshme të tyre, gjykohen në kontekstin e kohës që kanë jetuar. Sjellja dhe “gjykimi” publik i veprave të tyre në ditët që jetojmë sot, është i paarsyeshëm, pse jo dashakeq, në vlerësimin e personalitetit apo kontributeve për Shkodrën e Shqipërisë. Ashtu siç edhe ne sot, nuk mund të gjykohemi nga pasaardhësit tonë për atë që po shkruajnë në rrjete sociale. Gjithmonë, nëse kjo “dritare” e hapur për të gjithë, do të vazhdojë të ekzistojë edhe kur të mos jemi ne (mbase do shpiket diçka tjetër!).
Nuk duhet harruar se Shkodra nuk është e vetëm atyre që lindën këtu, as vetëm e atyre që kanë rrënjë 100- 200 vjeçare, as vetëm e “vijave të verdha”. Sepse historia e Shkodrës daton të paktën 2500 vjeçare deri në 5000 vjeçare. Kjo sipas ekspeditave studimore të të huajve. Përndryshe, edhe këtë do ta kishim vënë në dyshim. Historia nuk fillon e nuk mund të fillojë atëherë kur duam ne. Do të vazhdojë edhe kur të mos jemi ne, “tifozët” e sotëm të rrjeteve sociale. /Editorial nga ShkodraWeb/