Bulevardi kryesor i kryeqytetit të Shqipërisë është mbushur me portrete. Më së shumti, janë individë me uniforma ushtarake, në foto bardh e zi dhe ndonjë pikturë e përshtatur me ngjyra.
Pesë vjet më parë, i njëjti bulevard demonstroi të tjera portrete, edhe ato kryesisht bardh e zi, ndonjë pikturë me ngjyra dhe ajo që binte në sy ishte veshja e tyre: Klerikë të besimit katolik!
Sot Tirana dhe një pjesë e Shqipërisë, përgatitet të festojë atë që zyrtarisht njihet si “29 Nëntori 1944- Dita e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesi nazi- fashist”. Një datë në fakt, që në këto 30 vite, jo rradhë është përmendur edhe si “Dita e parë e pushtimit 45 vjeçar të vendit”.
Para 5 viteve, mbase për tu treguar “më katolikë së Papa”, sheshi u zbukurua me 40 martirët e Kishës Katolike Shqiptare gjatë diktaturës, një pjesë klerikë dhe pak syresh jo klerikë. Papa Francesku i ngjiti në piedestalin e Kishës Katolike, duke i lumturuar- hapi i parë para shenjtërimit.
Studiues dhe hulumtues të arkivave, sot kanë nisur reagimet e tyre. Në këtë 5 vjeçar që permendëm, rastis të venerohen tek i njëjti shesh, nga të njëjtët qytetarë viktimat dhe xhelatët e tyre. Shumë nga ata që kujtohej me foto si “heronj të popullit”, pas vitit 1944 ishin persekutorë deri edhe ekzekutues të atyre që u demonstruan me krenari gjatë vizitës së Papës në Tiranë. Sigurisht, nuk mund të futen të gjithë “në një thes”, ashtu sië mund të ketë shumë dyshime se nuk ishin të gjithë heronj apo martirë edhe nga ana tjetër.
Ajo që mund të thuhet me siguri në këtë rast është se në Shqipëri po konsumohet ngjarja më absurde ndoshta në historinë e të gjithë Europës. Viktima dhe xhelatë të tyre po barazohen dhe kjo në sytë e të gjithë shqiptarëve!
30 vite nuk janë shumë por as pak për një shtet si Shqipëria për të përcaktuar një hierarki historike të vlerave. Qoftë edhe duke marrë ekspertë, specialistë të fushës nga jashtë vendit. Meqenëse brenda “nahijes tonë” të gjithë, kush më pak e kush më shumë në mës të indoktrinuar, jemi tifozë partiako- politikë!
Sigurisht, e gjithë kjo është e qëllimshme. Ndërsa po kryhej në heshtje riciklimi ekonomik fillimisht e më pas ai politik i kastës komuniste përmes bijve e nipërve, krahu tjetër që doli i copëtuar ekonomikisht e politikisht nga 1990- a, u gënjye me “një pjatë makarona” siç thotë shpesh Viktor Martini, ish- kryetar i Shoqatës të të Persekutuarëve në Shkodër. Politikisht kjo shtresë, u përdor në shumicën e kohës si fasadë, edhe nga e djathta që e kishte për detyrë përfaqësimin e tyre. Bijtë dhe nipërit u gënjyen me disa të drejta studimi, ndonjë shtëpi banimi modeste, ndonjë punësim në nivele të ulta të administratës. Tek- tuk, në majë u ngjit ndonjë përfaqësues i tyre, por që përveç sloganeve, nuk bëri thuajse asgjë për këtë shtresë.
Prandaj sot pas 30 viteve jemi në këtë situatë tragji- komike. Prandaj ish- të persekutuarit vazhdojnë të luftojnë vetëm për “pjatën e makaronave”, prandaj vazhdojnë të kërkojnë akoma dëmshpërblimet ligjore për vitet e persekucionit, prandaj vazhdojnë të enden pas tri dekadave në kufijtë e mbijetesës njerëzore, prandaj…
Nuk jemi as të parët dhe natyrisht as të fundit që përsërisim këtë këndvështrim. Ashtu siç jemi të sigurte se pak e aspak do të ndryshojë në këtë realitet. Por nuk mund të rrimë pa sugjeruar për të gjitha shoqatat e ish- të persekutuarëve, shoqata këto demokratike ose jo, të vlerësojnë veten e tyre, të kaluarën por sidomos të mendojnë për të ardhmen. Që pas 30 viteve të tjera, të mos jetë sërish dikush tjetër që përsërit këto rreshta. Askush nuk i pengon të demonstrojnë vuajtjet e tyre, krenarinë e tyre për rezistencën dhe martirizimin. Askush nuk i pengon që printojnë bardh e zi të paktën, fotot e atyre që nuk jetojnë, të vetat, të prindërve dhe fëmijëve, të fërmëve. Dhe ti ekspozojnë në mos në vende të dukshme publike, në trupat e tyre, veshjet e tyre dhe të ecin rrugëve për tu treguar të gjithëve se historia nuk mund të zhbëhet, se vërteta duhet të dalë në dritën e diellit. Të paktën e vërteta e tyre. Sepse “të vertetën” tjetër ka kush e administron dhe e menaxhon, edhe në sheshet e kryeqytetit shqiptar! /Shënim i ShkodraWeb/