Historia thonë se përsëritet. Në formë ciklike madje dhe në të njëjtën trajektore rrethore. Aty ku ke qenë më parë, do të rikthehet por në një kohë tjetër.
Kështu po ndodh edhe me politikën shqiptare. Deri dje, në këtë trajektore ciklike Edi Rama po vraponte i pakapshëm nga Ilir Meta. Por me “hapin e breshkës” duket se Ilir Meta e ka kapur në vrapin e tij kryeministrin.
Është çeshtje kohe, mbase orësh apo ditësh dhe Edi Rama do të ketë mbi tryezë vendimin e KQZ-së që i rekomandon kryeministrit shkarkimin e kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku alias Jorgo Toto. Para KQZ-së ka folur Prokuroria kështu që Rama ka pak hapësirë për të manovruar…
Kryetari në ikje i Vorës, sipas gjasave këto orë të fundit në detyrë, do të jetë duke deleguar kompetencat tek njëri nga nënkryetarët. Gjithsesi, të përkohshëm. Në momentin që Këshilli i Ministrave shkarkon Kajmakun dhe vendimi i shkon KQZ-së, ky i fundit duhet ti kërkojë një datë zgjedhjesh të parakohshme për kryetarin e Bashkisë Vorë. Pak a shumë, siç ka vepruar për Shkodrën, në momentin kur Valdrin Pjetri dha dorëheqjen nga karrikja e kryebashkiakut pa guxuar as të ulet. Edhe Kajmaku ashtu si Pjetri, por edhe si Mark Babani i Vau- Dejësit (siç mbështet PD-ja dhe deri tani, ka patur “sukses”), ranë nën peshën e Dekriminalizimit. Po sipas PD-së, janë të paktën edhe 7 kryebashkiakë të dalë nga “30 qershori” që po verifikohen.
Në rastin e Bashkisë Shkodër, nga 23 gushti kur u vu zyrtarisht në dijeni për vakancën e krijuar për postin e kryebashkiakut, Presidenti Meta as nuk ka denjuar ta marrë në konsideratë, aq më pak të reagojë e aq më pak, të dekretojë datë zgjedhjesh të parakohshme. Sipas gjasave, të njëjtën linjë do të ndjekë kreu i shtetit edhe me Bashkinë e Vorës, edhe me Bashkinë e Vau- Dejësit nëse do të ketë zhvillime të ngjashme. Nuk ka arsye që edhe për rastet e tjera të ngjashme, Presidenti të mos ndjekë të njëjtën rrugë.
Arsyeja është e thjeshtë: Sipas kreut të shtetit, “30 qershori” nuk ka qenë datë zgjedhjesh. Ai kishte dekretuar 13 tetorin por që edhe ajo datë, nuk u përfill as nga PD-ja e as nga PS-ja. Madje, KQZ- ja nuk denjoi të ndërpresë pushimet as edhe një ditë e vetme për të shqyrtuar kërkesat e katër aleatëve të PD-së, që në mbështetje të dekretit të Metës për 13 tetorin, depozituan kërkesat për regjistrim në zgjedhje.
Rasti i Shkodrës, dje i Vorës, në ditët në vijim i Vau- Dejësit apo i ndonjë bashkie tjetër, jo vetëm do të thellojë krizën aktuale në vend. Por do të jetë edhe një mundësi revanshi për Presidentin Ilir Meta. Që zgjedhjet të jenë ligjore, legale, duhet të kalojnë përmes një date të dekretuar nga kreu i shtetit. Qofshin të zakonshme apo të parakohshme, duhet të dekret presidenti për të startuar procesi.
E kështu historia përsëritet e rikthehet tek “30 qershori”. A ishte e vlefshme kjo datë kur Presidenti jo vetëm e kishte çdekretuar por edhe kishte shpallur një datë tjetër?! E përsëri, i vetmi institucion që mund të japë një përgjigje kompetente, të detyrueshme për zbatim nga institucionet, është Gjykata Kushtetuese.
Nuk është e vështirë të kuptohet se jo vetëm për Shkodrën, Vorën, Vau- Dejësin hipotetik por edhe çdo bashki tjetër që mund të rezultojë me probleme me dekriminalizimin, Presidenti Meta do të presë përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese për “30 qershorin”. Problemi i vetëm është se nuk ka akoma një afat se kur mund të ngrihet kjo trupë e rëndësishme. Në të njëjtën kohë, nuk është e qartë nëse do të shqyrtojë fillimisht legjitimitetin e “30 qershorit” apo shkarkimin e Presidentit, proces të cilit mazhoranca ështëperbetuar ti shkojë deri në fund, edhe pas opinionit kundër shkarkimit të Komisionit të Venecias.
Nëse Gjykata Kushtetuese rrëzon “30 qershorin”, Presidenti Meta duhet të shpallë një datë zgjedhjesh për 61 bashkitë në vend. Nëse Kushtetuesja konfirmom legjitimitetin e “30 qershorit”,vetëm atëherë Meta mund të shpallë datë zgjedhjesh të parakohshme për Shkodrën, Vorën, Vau- Dejësin…e kompani.
Tani mbetet vetëm që Edi Rama të presë, me sytë nga Presidenca, duke kuptuar se “30 qershori” po i kthehet papritur në “boomerang”. Sepse ka fitore edhe si e Pirros! /Nga Blerti DELIJA/