Kishte një periudhë kur Champions League u bë deri diku e besdisshme. Pa nisur faza e grupeve, gati dihej se kush do ta fitonte: Real Madrid. Po ashtu, përcaktoheshin pa nisur kompeticioni se cilat do të ishin 8 ekipet e fundit në garë për titullin e shumëlakmuar. E njëjtë situata, si me disa kampionate të njohura vitet e fundit. Për shembull në Gjermani është bërë i mërzitshëm kampionati nga Bajerni, në Spanjë nga Real dhe Barcelona e në Itali, Serie A nuk ia vlen të ndiqt më sepse edhe sivjet…fiton Juventus.
Më ka rastisur të jem në tavolina kur luante Real Madrid. Tifozët e tij, jo në pak raste festonin kur ekipi i tyre pësonte gol. Madje, edhe kur pësonte ndonjë humbje jo shumë të rëndësishme. Vinte natyrshëm deri diku por edhe nga dëshira “për t’i ulur hundën” ekipit të tyre në ndonjë rast…
Edhe në Shqipëri ka raste të ngjashme. Edhe vitet e fundit. Pavarësisht se tani është i zhytur keq në telashe, Skenderbeu fitoi pesë apo gjashtë Superliga rradhazi. Ishte e qartë se kush do të fitonte kampionatin pasardhës, edhe pse flitej edhe për “mbajtje dore” nga FSHF e Duka.
Pertej këtyre rasteve, asaj që arrin në kufijtë e hegjemonisë sportive, UEFA asnjëherë nuk ka marrë masa për të frenuar fenomenin. Për shumë arsye, por një më e rëndësishmja: Është garë dhe rregullat caktohen para nisjes së saj. Palët janë të detyruara si zbatojnë. Por…luhet edhe në pjesën e padukshme, duke nisur nga vetë UEFA, arbitrat, kompanitë e basteve dhe në një moment të bukur, rregulli “njëri fiton gjithçka e gjithmonë” prishet…
Edi Rama në Shqipëri është “Skenderbeu” (jo në kuptimin që i permend shpesh një zonjë e hijshme në PS), në Itali është “Juventus” (meqë është edhe tifoz i bardhezinjëve) ndërsa në Champions League është Real Madrid i para disa viteve.
Nga 2013-a ka fituar çdo “ndeshje”. Me djersë, me trukime, me blerje arbitrash, me aleanca me kundërshtarët, me lojë të rëndë, gjithmonë rezultatet e “ndeshjeve” i janë njohur. Pas 2013-ës, po me ndihmën e aleatit- kundërshtar, fitoi “ndeshjen” e 2015-ës. Me marrëveshje me kundërshtarin në tavolinë, triumfoi edhe në “garën” e 2017-ës. Po ashtu, edhe pse pa kundërshtar në “fushën” e blertë, fitoi edhe “ndeshjen” e 30 qershorit 2019.
Tani jemi në një pikë që nuk përbën më “lajm” fitorja e rradhës, por humbja e Edi Ramës. Por që të humbë ai, duhet të fitojë dikush tjetër. Për “tifozët”, nuk ka aspak rëndësi si fiton ai “tjetri”. Rëndësi ka të vijë “fitorja e parë”. Sepse rrezikohet seriozisht, ai “tjetri”, që si në futboll të etiketohet “nuk di të fitojë”. Sepse të mendosh se “nuk dëshiron të fitojë”, do të ishte shumë e rëndë! Kam përshtypjen, se nuk do të ishin të paktë edhe socialistët që do të festonin. Arsyeja? U munduam ta shpjegojmë më lart, përmes futbollit. /ShkodraWeb/