Ora 12.00 e mesnatës që sapo kaloi, shënoi edhe zyrtarisht pamundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve vendore me 30 qershor. Afati ligjor për regjistrimin e subjekteve politike që formësojnë KZAZ-të, ka skaduar sipas Kodit Zgjedhor në fuqi. Mësohet se është regjistruar vetëm PS, ndërsa dy partitë e mëdha të opozitës PD dhe LSI, as nuk kanë kaluar para ndërtesës së KQZ-së. Njëkohësisht, në kushtet kur PS nuk ka aleatë në Kuvend, nuk ka asnjë mundësi të plotësohet edhe me antarët që duhet të vijnë nga rradhët e partisë së dytë në mazhorancë. Kjo është pjesa juridike dhe ligjore.
A mund të ndërhyjë politika për zgjidhjen e ngërçit më të madh në funksionimin e institucioneve të Shqipërisë nga 1990-a e këtej?
Opozita në bllok i ka dorëzuar mandatet. Çdo marrëveshje politike, duhet të reflektohet me nisma ligjore në Kuvend. Por aty opozita e vertetë, e votuar edhe nominalisht në 2017- ën mungon e nuk mund as të rikthehet. Vetëm nëse shkelet Kushtetuta ose rifitojnë mandatet përmes…zgjedhjeve të reja. Një fije shprese për një zgjidhje të mundshme institucionale- politike, është miratimi paraprak jashtë Kuvendit i ligjeve të nevojshme dhe kalimi formal për miratim, pa mundësi ndryshimi në Kuvend me numrat e mazhorancës dhe të “opozitës së re”. Gjithmonë, nëse ka një konsensus mazhorancë- opozitë jashtë parlamentit.
Ndërsa të gjithë humbasim kohë duke mbajtur veshët e sytë nga ajo çfarë thonë ndërkombëtarët kundër apo pro opozitës, kundër apo pro mazhorancës, vendi po rrëshqet drejt një kaosi të plotë institucional që rrezikon deri në përplasje civile. Zgjedhjet vendore, me 30 qershor 2019, nuk ka asnjë mundësi të zhvillohen. Ta supozojmë se mazhoranca do t’ia dalë të qëndrojë në këmbë deri me 2021-in e famshëm. Gjatë kësaj kohe, çdo ndryshim i mundshëm i Kushtetutës, ligjeve do të ishte i pavlerë sepse pa firmën e Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit dhe partive të tjera të opozitës, do të ishte i papranueshëm si i njëanshëm dhe pa konsensus politik. Edhe për zgjedhjet e 2021-it do të ishim në kushtet e dështimit të këtyre të 30 qershorit 2019.
Në këto kushte, asnjë ndërkombëtar nuk mund të japë zgjidhje të krizës politike, e cila nëse nuk pranohet sot dhe nëse nuk punohet intensivisht për zgjidhjen e saj, rrezikon të çojë vendin drejt një kolapsi të pashmangshëm. E këtu nuk flitet më për kolaps që lidhet me refuzimin e rradhës të hapjes së negociatave me BE-në për anëtarësim. “Kriteri politik” nuk ekziston në Shqipëri i plotësuar aktualisht dhe sipas të gjitha gjasave, edhe përgjigja e rradhës do të jetë negative për Shqipërinë.
Çuditërisht, në “tabelën e shahut” papritmas opozita duket se ka marrë avantazhin që japin “gurët e bardhë”. Ka bërë lëvizjen e parë dhe pret se cila do të jetë lëvizja e “të zinjëve”. E për të vijuar me të njëjtën gjuhë, mazhoranca është nën një “shah” të fortë nga kundërshtari. Aq më shumë, kur lëvizjet në dispozicion janë në rangun thuajse “zorile”. Janë shumë pak, për të mos thënë…vetëm një! /Nga Blerti DELIJA/