Disa të shtëna me armë zjarri tronditën mbrëmjen e sotme Tiranën, ku për pasojë një 41-vjeçar humbi jetën. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Devi Kasmi, i cili pak kohë më parë kishte ndryshuar edhe emrin, pasi e kishte pasur Dëfrim.
“BalkanWeb” mëson se të shtënat me armë zjarri janë dëgjuar në zonën e spitalit të fëmijëve në rrugën ‘Kongresi i Manastirit’, në krah të urgjencës së pediatrisë.
‘BalkanWeb’ mëson se viktima sapo kishte dalë nga banesa e tij, kur është përballur me atentatorët. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BW’ se kanë qenë dy persona të pajisur me skafandra, ndërsa pasi njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi me një motor në drejtim të SHISH. Kasmi është një emër i njohur për policinë, pasi dyshohet të jetë autor i një vrasjeje, ndërkohë që për të vijonin hetimet.
Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Policia po kreh zonën dhe ka ngritur postblloqe për identifikimin dhe kapjen e autorëve./balkanweb/