Në kuadër të hetimeve kundër një bande shqiptare të specializuar për vjedhje të vilave dhe shtëpive në verilindje të Italisë, policia në Pordenone ka zbuluar rreth 1.3 kilogramë stoli me vlerë rreth 1 milion euro, një pistoletë dhe një kasafortë me municione brenda.
Grupi ka kryer 66 vjedhje të rënda në shtëpi për periudhën nëntor 2018 – shkurt 2019, duke marrë bizhuteri, para, çifte e pistoleta dhe sende të tjera me vlerë. Policia identifikoi vende të fshehta të përdorura nga grupi.
Një prej tyre ishte një zonë e pyllëzuar pranë lumit në Conegliano. Aty, grupi kishte groposur xhevahiret dhe një pistoletë Smith & Wesson.
Arma besohet të jetë vjedhur më 21 janar të këtij viti. Hetimet tani po vazhdojnë për të identifikuar pronarët e ligjshëm të pasurive të vjedhura gjatë bastisjeve të tjera të fshehta të kryera në provincat e Pordenonit, Trevisos dhe Bellunos, përveç 66 vjedhjeve të konstatuara nga bandat kriminale.
Që prej 25 prilli, në burg janë tre shqiptarë, të cilët kanë pranuar krimet kundër pronës. Grupi ishte i specializuar për vjedhjet e shtëpive, marrjen e kasafortave dhe kabinave të blinduara, duke pasur si bazë logjistike dy dy apartamente respektivisht të gjetura në Conegliano dhe Treviso.
Pas këtij zbulimi, në pranga kanë përfunduar shqiptarët: Darjel Prushi, 27 vjeç nga Kruja, me precedentë, me vendbanim në Conegliano, Edmod Ethemaj, i njohur si “Mondi”, 35 vjeç nga Peqini dhe banues në Conegliano, dhe Nikoll “Niku” Dobrozi, 27 vjeç, nga Mamurrasi, pa një vendbanim fiks në Itali.
Tanimë, policia ka verifikuar rreth 2 milionë euro të ardhura të paligjshme midis parave, orëve të shtrenjta, shufrave të argjendit, pistoletave dhe municione. Mediat italiane shkruajnë se të ardhurat e tyre janë transferuar në Shqipëri ku edhe janë “ricikluar”.
Bizhuteri të shumta u janë kthyer pronarëve të tyre të ligjshëm, me vlerë qindra mijëra euro, të njohura nga viktimat.