Nga Jordan DACI, avokat
Nisur nga debati mbi “dërgimin” në Venecia nga Gjykata Kushtetuese të çeshtjes së zgjedhjeve, dëshiroj të sqaroj opinionin publik dhe ndonjë tjetër të vetëquajtur konstitucionalist si vijon:
1. Nuk ka shkuar çeshtja në Venecia dhe kjo e fundit nuk do shprehet për pranimin ose jo etj., të kerkesës dhe themelit të saj, pasi këtë do e bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese. Thjesht do i dërgohen disa pyetje që do të ndihmojnë gjykatën në vendimmarrje.
2. Venecia nuk ka nevojë për mision faktmbledhës sepse e ka bërë për opinionin për shkeljet e Presidentit dhe kjo shkurton shumë kohën.
3. Do procedohet me procedurë të përshpejtuar, gjykata ka lënë afat deri nesër 16:00 për pyetje, pra vetëm 2 ditë.
4. Gjykata ka të bazuar në Nenin 44/b të ligjit të saj të kërkojë mendim “amicus curia” ose nga një mik i gjykatës, sikurse ka bërë për këtë çeshtje nga Avokati i Popullit. Ky vendim ka bazë logjike dhe është i drejtë, sepse komisioni ka dhënë një mendim për shkeljet e pretenduara të Presidentit, por s’ ka dhënë asgjë për asnjë nga pretendimet tona dhe natyrën e çeshtjes tonë. Është një vendim tepër i drejtëe dhe tregon maturi nga kjo gjykatë që po i kërkohet të bëjë një “revolucion” në Shqipëri.
5. Venecia do japë mendim të përgjithshëm mbi pyetjet pa vënë Gjykatën para mungesës së hapësirës së vleresimit të saj pasi kjo gjë s’ ka ndodhur dhe nuk do ndodh asnjëherë.
6. Mendimi është orientues për pyetjet dhe nuk ka forcë detyruese.
7. Gjykata e ka përfunduar hetimin e çeshtjes përsa u takon palëve dhe tani mbetet vetëm diskutimi mbi përgjigjet që do merren. Pra procesi në vijim s’ ka të ndalur më.
8. Drejtësia nuk matet as me njësinë matëse të budallikut, as inatit dhe as shpejtësisë, por vetëm me të vertetën dhe vlerësimin e saktë të saj.
9. Të mbrojmë gjykatën nga sulmet pa pikë logjike sepse po tregon integritet dhe profesionalizëm shumë të lartë, pavarësisht qënies të rinj në këtë gjykatë të anëtarëve. Të mos e “vrasim” një institucion që mezi prisnim ta kishim tani që po rikthehet fuqishëm në mbrojtje të Shtetit të së Drejtës!
10. Konstitucionalizmi nuk është “sport” që mund ta ushtrojë kushdo, por vetëm profesionistët e vertetë që janë shumë, po shumë pak!