Skënderbeu siç thirret prej nja dy vitesh e kusur Edi Rama na ka shkruar dy letra, të bymyera, me analiza, krahasime, urime e nama! Prisnim të fliste si Kryeministër por jo, foli si profet e Uliks pas një udhëtimi të gjatë nëpër histori! Lajmet e këqija ja behin ngamos! Protestuesit të vërtetë nuk hyjnë në Kryeministri ndërsa atmosfera e përgjithshme po! Ajo nuk u ndalka dot me gazlotesjellës, ka taftin e një qelbsine ndanë xhadesë! E rënde është ajo, e zymtë, e ngrysur, beterr! Mes dertesh i shtyn vaktet shefi i ekzekutivit! Shteti dhe sistemi kanë mbetur nocion në letër, po kaq sa demokracia, ndershmëria e profesionalizmi i qeverisjes!
Vetëm shërbëtorët të cilët bëhen gjithnjë e më qesharak, të përçudnuar, tragjik në perversitetin e tyre janë më konkret se kurrë! Ai nuk është në gjendje të bëjë zgjedhje e t’u japë zgjidhje pasojave që ka shkaktuar me qeverisjen e tij arbitrare deri në marrëzi! Edi Rama tash 6 vjet ka qeverisur me telefon dhe me urdhra, me hakërrime e kërcënime! Një të tillë i bëri edhe faqendierit italian Beketit të cilit i mbylli televizionin si paralajmërim për të tjerët e me sa thuhet në media, kjo ekonomisë tonë të rrënuar po i kushton 140 milion euro! Një gropë dhe gjëmë financiare e pashoqe! Vetëm për kaq duhej të ikte në shtëpi Skënderbeu, në këmbë, natën dhe pa kalë, duke kthyer kokën pas me ankth!
Askush si ai nuk e ka dhunuar fjalën ligj dhe etikën e komunikimit publik! Triumfi i tij është triumfi i unit banal e delirant, mishelë frustimesh e vakumesh kulturore e identitare! Përfundimisht u shua edhe Gjykata e Lartë!
Sot KQZ një organizëm kamikaz në duart e Kryeministrit, faqe shoqërisë, pa turp e drojë votoi që përfaqësuesit e opozitës të mos jenë në KZAZ edhe pse ligji është i qartë në këtë pikë!
Pse ndodh kjo? S’do shumë mend gjithësa! Nëse ja del të bitisë karrikaturë zgjedhjesh me 30 qershor (ndonëse tepër e vështirë ngjan ajo aventurë), ai i do ato pa asnjë dëshmitar! Kështu mundet me shënue pjesëmarrjen që ka fiksuar në mendje duke e shndërruar që në nisje një proces të ndyrë e të rrezikshëm këtë në të cilin po asistojmë!
Pa u skuqur, as zverdhur, rilindasit, duan të vjedhin të qetë, sa e si të duan vota e pjesëmarrje! Pastaj mbi ato rezultate do vikasin zurnatë e propagandës. Natyrisht, Ambasadori Boshard, “viktima” dhe “heroi” i persekutuar nga një parullë ende s’ka shfaqur asnjë shqetësim! Votimi i sotëm i KQZ na rrëfen Shqipërinë e qeverisur nga Edi Rama dhe sesi ajo do të jetë mot nën hyqmin e tij! Ai votim është koncepti që ka për demokracinë! Tani kuptohet më mirë pse nuk i duhej nëpër këmbë Gjykata Kushtetuese! Tani s’ka asnjë mundësi as për partitë, as për shoqërinë që të ankohet në mënyrë legale! Protesta ka mbetur e vetmja rrugë ankimimi.
Kriza e thellë ku gjendemi është e vetmja gjë e vërtetë dhe pakundërshtueshme në këtë vend! Ashtu mes dertesh e çapitjesh, Skenderbeu, la mënjane punët e Shqipërisë dhe ul mbi kartë për ta ambalazhuar atë e larguar nga vetja! Të jetë ndjerë si ai i moçmi i vitit 1462 kur i drejtohej princit të Tarantit! “Ne pasardhësit e Pirros…etj etj “! Po i thërriste në fakt, liderit të opozitës Lulzim Bashës e më shumë se atij opinionit publik e ndërkombëtarëve!
Po lan duart Edi Rama! Flet për dialog dhe vendos caqet pa filluar ndonëse është në pozitë absurde! Gjithë ato fjalë për të mos zgjidhur asgjë! Ku i gjete he të faltë zoti, gjithë ato fjalë, do i drejtohej në njërin prej dialogjeve Don Kishoti Sanço Pançes! E dimë që se shpejti do të shkruaj të tretën, mbase edhe të katërtën! Kohë letrash e punë kohe, është kjo për të mbërritur ngadalë, ngadalë, tek ajo më e dhimbshmja, gjokstherësja, stomakgërryesja, lotshpërthyesja e dorëheqjes! Burbuqet e Qeverisë atë ditë do të çjerrin faqet si Lek Dukagjini për vdekjen e Skënderbeut të parë!
Në to konstatohet, mungesë largpamësie e inteligjence patriotike! Tek tjera, reflektim pritet! Rama, i ka shumë qejf letrat! Ulet, lëmon fjalët, gjuan rimat, fundi i shërben si fillim e anasjelltas! Duke ja njohur pasionin na mbetet të shpresojmë që të vijë koha kur ai, mund të shkruaj një për çdo ditë ose edhe dy të tilla! Shumë mesazhe përgëzimi ka marrë dje dhe sot! Shkalla e hiperbolave sot është rritur! Një intelektual i shquar, bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, i cili i ka lënë fijet e mustaqeve kangjellave të pushtetit duke u zvarritur qysh në vitin 1992, rri e vrojton i fshehur në bodrum për ta nxjerrë kokën dhe mustaqet pas stuhisë!
Komplimentin e parë për tekstet thuhet që Kryeministrit ja bëri një drejtues i njohur OJQ-je, siç di ai, ëmbël e me pavarësi mendimi! Njërit prej ministrave atij më të zellshmit i dridhej dora nga emocionet dhe i dërgoi një faqe me zhargavina, një tjetër që gugatje në ngashërim përcolli një mesazh zanor me të qara që të këpusnin shpirtin! Njerëz të ndjeshëm janë e shpejt preken! Dashuri e tyre për liderin është e dëlirë e pa mëkat! /Nga Agron GJEKMARKAJ/