Jep dorëheqje nga PSD- ja 4 ditë para zgjedhjeve në Akademi por nga 2007-a ka qenë antar në shkelje të ligjit…

Teksa më 24 maj pritet të zhvillohen procesi zgjedhor për kryetar të Akademisë së Shkencave, Skënderi Gjinushi është kandidati i vetëm në garë. Katër ditë përpara zhvillimit formal të zgjedhjeve pasi në garë është vetëm një kandidat, Gjinushi thotë se ka dhënë dorëheqjen si kryetar i Partisë Social Demokrate dhe ka ngrirë të gjitha funksionet politike.

“Kjo është shoqëruar me dhënien e dorëheqjes si kryetar i PSD dhe ngrirjen e menjëhershme të funksioneve. E para gjë që ka bërë reforma e drejtuar prej nesh është depolitizimi dhe ata që kanë përshëndetur politizimin atëherë, flasin tani për politizim nga ana jonë”, shprehet Gjinushi për “A2”.

Gjinushi është anëtar i Akademisë së Shkencave prej vitesh, por të paktën 12 vitet e fundit, ai ka shkelur ligjin duke qenë njëkohësisht kryetar i një partie dhe anëtar i Akademisë.

Sipas nenin 6/1 të Ligjit për Akademinë e Shkencave (foto më poshtë), “Statusi i anëtarit të rregullt, atij të asociuar, dhe i çdo funksioni tjetër drejtues të lidhur me këto funksione në zbatim të neneve 9 dhe 10 të këtij ligji, përfundon kur anëtari: C. Zgjidhet apo emërohet në funksione drejtuese në parti politike apo organe kushtetuese”.

Z.Gjinushi ka rreth 30 vite vite në krye të Partisë Social Demokrate, por që prej vitit 2007 e këtej që kurse ka hyrë në fuqi ligji për Akademinë e Shkencave, ka qenë njëkohësisht edhe anëtar i kësaj Akademie, duke marrë pagesë prej saj.

Socialdemokrati Gjinushi iu kthen përgjigje edhe sulmeve të vazhdueshme të akademikut Artan Fuga ndërsa tregon pse nuk u mor parasysh modeli i tij. “Përveç se gjithë pjesa që quhet pr/ligj a platformë është e papërpunuar dhe e pabotueshme, kërkon të kthehet reforma e dështuar e 2008-ës”, përfundoi Skënder Gjinushi.

Më 24 maj, Asambleja e Akademisë së Shkencave, e legjitimuar tashmë me vendim gjyqësor, do të zgjedhë kryetarin e ri me shumicë absolute votash.

Loading...