Po kaloja nëpër unazën e Shkodrës drejt Vermoshit. Po shihja sa majtas djathtas duke vra menien ku vallë e kishte pa Migjeni ate shkodranen që pyste “A don qymyr zotni?”. Isha me Fijen, inxhinier kompjuterash nga Vaksinca e Kumanovës me punë në Tiranë. I thashë Fijes; O Fije, të lutem zbrit ma merr një kafe. Fija zbriti mori kafen. Kur hyri në makinë bashkë me kafen në një kupë plastike, Fija tha se kafexhiu nuk i kishte marr pare. U habita. Nuk ndodh kurrkund. E thirra kafexhiun shkodran i thash; Pse nuk i mbajte Fijes pare për kafen ?! Nisi me thën një numur arsyesh që nuk mundesh me i dëgju nga asnjë kafexhi i botës; Po ja, mu duk zotni, xhentelmen, njeri i butë, i sjellshëm, me pamje të njerëzore. U mahnita. E kishte seriozisht. Jo seriozitet i shtirur. Jo jo jo. Kafexhiu shkodran ishte absolutisht i besueshëm. Në fund e pyeta kafexhiun e çuditshëm; A e ka Keti Bazhdari simpatinë tënde ? U përgjigj me një vendosmëri tronditëse; Keti Bazhdari sigurisht e ka simpatinë time.
Zotnilleku shkodran me kafen gratis dhe Keti Bazhdarin nuk mbaron këtu. Prit se ka edhe më.
Kur unë dhe Fija po ktheheshim nga Vermoshi, ndala për një tjetër kafe diku në Hot. Këtë herë me e marrë kafen zbrita unë. Pronarja e kafenesë, një hotjane bajagi elegante, nuk kishte kupa plastike. Po ta bëj kafen në filxhan, tha. Mos ma kthe. Ta kam fal filxhanin.
Fijes kafen, mua filxhanin. Fijes Bunën, mua Cukalin. Si ato Femrat që Dashuri pafundësisht kanë dhe Dashuri pambarimisht falin, anipse Fijes shumë më tepër se mua, Shkodra fisnike të dyve diçka na fali. /ypi.al/