
Nga Eli GOLEMI
Pas një fundjave plot emocione në Shkodër, ka gjithmonë vend edhe për reflektime. Për shkak të pandemisë, planifikova të qëndroj më shumë në natyrë, për të shmangur kontaktet e shumta me njerëz. Por sa mbërrita e kuptova se kufizimet e pandemisë ishin vetëm në mendjen time, nga media dhe nga eksperienca personale në Itali.
Përgjithësisht, njerëzit në Shkodër e kishin objekt bisede situatën e rënduar covidiane, por përtej kesaj, jeta vazhdonte normalisht a thua se virusi nuk guxon të afrohet aty. Gjithë fundjavën mund të kem parë vetëm 4 – 5 persona që mbanin maskë në rrugë e në vende publike, në disa nga këto raste maska as nuk dallohej më çfarë ngjyre kishte patur në fillim të pandemisë. Baret e lokalet ishin plot si gjithmonë dhe tregu e piaca vijojnë të mbeten vendet ku shfaqen tendencat e fundit të modës.
Nuk di të them me statistika nëse pasojat e pandemisë kanë qenë më të rënda apo më të lehta në Shkodër, krahasuar me vendet e tjera ku rregullat e pandemisë janë respektuar, por një gjë di ta them me siguri, shkodranët kanë vendosur masivisht të refuzojnë mbajtjen e maskave, duke preferuar të mos i shtojnë vështirësive të jetesës edhe një hall tjetër, në mungesë të sistemit shëndetësor dhe kushteve të nevojshme ekonomike, por duke respektuar lirinë e frymëmarrjes, qoftë kjo dhe e fundit.
Një projekt që u mbajt pezull për një dekadë, mund të përfundohet në kohë rekord për 5 muaj, kur kjo i shërben fushatës. Edhe pse qeveria u përball me kriza të njëpasnjëshme, prej shtatorit të vitit të kaluar, kryeministri është zotuar se bypassi i Shkodrës do të përfundojë shumë shpejt dhe, siç thotë ai “ne mbajmë premtimet e dhëna”, paçka se ky projekt mbeti jashtë vëmendjes së qeverisë së tij nga viti 2013 deri në 2020.
Mesa duket projekti duhej të priste fushatën për mandatin e tretë për tu vënë në listën e prioriteteve. Projekti nuk ishte përfunduar dhe bypassi ishte ende jo funksional, përveç pistës së biçikletave pothuajse gati për tu inaguruar brenda këtij muaji, në shërbim të zgjedhjeve. Pavarësisht se projekti ka patur shumë kontestime nga ana e ekspertëve të ndërtimit dhe mbrojtjes së mjedisit, rruga duket si një frymëmarrje e re e domosdoshme për qytetin dhe vonesa prej 10 vitesh në zbatim, nga miratimi i projektit në 2011 është krejtësisht i pashpjegueshëm. Po e shpreh këtë duke qenë e bindur se projekti do të zërë së shpejti ekranet e fushatës, për inaugurimin si “histori suksesi” e partisë socialiste.
Shiroka ka marrë një pamje vërtetë të bukur, shtruar me një qilim me motive tradicionale që i shton bukuri, madhështisë së liqenit të Shkodrës. Por ajo që vihet re, ende pa u bërë inagurimi i projektit, disa nga kalimet prej druri në liqen nuk i kishin rezistuar përmbytjes së fundit të ujit. Kishte mjaft dëmtime për një kohë kaq të shkurtër, sa duket se projekti ka patur si kryefjalë bukurinë (siç ndodh rëndom kohët e fundit) dhe më pak anën funksionale dhe qëndrueshmërinë ndaj “kërcënimeve” normale të natyrës.
Së fundmi, po ju tregoj si mblidhen gjucat në Zogaj, një bashkëpunim dhe koordinim mes banorëve të fshatit në muzgun e ditës. E gjetëm procesin e grumbullimit të rrjetave në përfundim e sipër, por edhe nga kaq pak, duket qartë se populli merret vesh shumë mirë me veten, sa pa hyrë në mes politika!