PROFIL/ I lumi Át Gjon Shllaku, fratimartir përballë diktaturës që vinte…

At Gjon Shllaku është një nga personalitetet e shquara që kleri shqiptar nxorri nga gjiri i vet. I lindur në Shkodër, jeta e tij do ti ngjasonte një kalvari të vertetë, për tu mbyllur tragjikisht në vitin 1946 bashkë me disa klerikë e shqiptarë të tjerë. Prof.Dr. Eljula Jubani, në një shkrim të saj, hedh dritë mbi këtë figurë të Shkodrës, sot i shpallur edhe “i lumë”, duke rrëfyer disa nga etapat e jetës së tij.

“Në njërin prej mëngjeseve të shumta, që lindnin të përgjakura, Zalli i Kirit oshtiu nga breshëritë e plumbave që godisnin për t’u marrë jetën përsëri disa burrave, të martirizuar në tortura ekstreme. Ishte 4 marsi i vitit 1946, kur Át Gjon Shllaku, së bashku me Át Daniel Dajanin, Át Giovanni Faustin, seminaristin Mark Çuni, të rinjtë Qerim Sadiku e Gjelosh Lulashi do të kalonin në amshim, ndërkohë që trupat e tyre i mbuluan me hekurishte në buzë të lumit. Për dekada të tëra, emrat e tyre ia fshehën historisë. Por çka i bën dëm edhe sot kombit, është se ia fshehën edhe kontributin e tyre, ashtu si veprën e tij “Histori e filozofisë”, e cila ishte në proces shtypi dhe u zhduk kushedi se ku. Në këtë mënyrë, si në historitë biblike, njerëzit që do të rendnin drejt idhujve të rremë, do të përfundonin të përhumbur në tempujt e përmbysur.

Át Gjon Shllaku lindi në Shkodër, me mbrojtës Shën Kollin, emrin e të cilit i dhanë prindërit. Nxënës i shkëlqyer i Kolegjit Françeskan, student i teologjisë, filozofisë, historisë, madje brilant edhe në shkencat ekzakte, u diplomua në Holandë dhe mbrojti doktoraturën me rezultate të shkëlqyera në Francë. U shugurua meshtar, më 15 mars 1931, dhe zgjodhi emrin Gjon, duke thirrur ndihmën e Shën Gjonit. U rikthye në vendlindje për të dhënë gjithçka zotëronte, me frymëzimin fetar dhe patriotik të etërve françeskanë “Fé e Atdhé”. Át Gjoni na kujton se martirizimi i shqiptarëve për komb e atdhe shtyhet thellë në histori e në çdo moment të rëndësishëm françeskanët janë aty. “Franciskant i falen Shqypnís Poetin e fisit, të racës. Flamurtarë desin, flamurtarë zhduken; por flamurtarët françiskan Shqypnín edhè në vorr do ta permendin. Kan me e permendë edhè kur vorri të jetë ndo’i muranë e stolisun”.

Këtë vit, Shtypshkronja Françeskane sjell në një botim pjesën më të madhe të artikujve të Át Gjon Shllakut, në veprën “Shqyptari – Frati–Shqypnia”. Át Gjonin mund ta njohim në mënyrë të drejtpërdrejtë nga leximi i shkrimeve të tij, por historia e jetës së tij na ndihmon të kuptojmë më mirë se nga i buron poliedrizmi i shfaqur në artikujt e tij, se nga vjen guximi i transmetuar në publicistikën e tij dhe qëndrimi i vendosur për çështje të rëndësishme të kombit dhe të religjionit, që hapte rrugën me ndërgjegje drejt kalvarit të martirizimit të tij.

Janë me mjaft vlerë shkrimet e tij, ku shihet interesi për çështje të zhvillimit të ekonomisë, edhe të vendeve mjaft larg Shqipërisë; me tema të rëndësishme të filozofisë, të politikës, të kulturës. Jo rastësisht, objekt i këtyre shkrimeve bëhen edhe zhvillimet ekonomike në Japoninë dhe Rusinë e kohës. Lexuesi gjendet përpara një shpërfaqjeje të hollësishme, me të dhëna të sakta, mbi të ardhurat vjetore, transportet, depozitat bankare. Shqyrtimi i këtyre zhvillimeve të drejton në analizën e sistemeve politike dhe filozofisë, prej së cilës udhëhiqeshin qeveritë e tyre. “Lenini, nuk pat durim me pritë evolucjonin e kadalëshëm të profetizuem prej Karl Marksit, por me at zhenín e vet satanike krijoi nji revolucjon artistik, neper të cillin më nji kohë fare të shkurtë mrûni me puntorí, bulqë e ushtri shtetin komunist. …. Në nji pikë me rândësí veç kishim me dashtë me hjekë vrejtjen e lexuesave t’onë d.m.th. se çë rrjedhë fatale mundet me perftue në jeten e popullit e të kombit kúr nji çetë kësi fanatikësh, pá marrë në dorë faktorët tjerët psyhologjikë të nji socjologjije të shndoshtë, luen harushë me tagret e të drejtat mâ shêjte të popullit”. Nuk duhet një analizë e thellë për të parë se si në një lëmsh deklaratash bombastike, fshihet një sektarizëm i thartë me synim sulmin, si një manovër e rafinuar oportunizmi, për të mbërritur në meskinitetin e interesave vetjake apo klanore.

Át Gjoni e thekson në çdo shkrim të tijin se idetë dhe mendimi janë parësore në shoqërinë njerëzore, sepse pavarësisht fushës së dijes, në të cilën kontribuon dikush “ … aj do të dalë në nji formylë, sido qi kjoftë, positive a negative, e cilla shkapercen rrethin e lamit të vet e kalon në filozofí”.

Me shumë prej artikujve, ai e shtyn lexuesin të reflektojë mbi ekzistencën e njeriut si qenie njerëzore, që qëndron edhe në qendër të absolutit metafizik, i cili vjen edhe më real se realja nën dritën e pyetjes themelore “Pse âsht?”. Ashtu si Shën Agustini, i cili na kujton se njohja e Zotit nuk mund të arrihet përveçse nëpërmjet njohjes së vetvetes.

Po të jesh shqiptar, çfarë do të thotë në këtë “pluralitet të kênëve”? Át Gjoni na vë për ballë historinë, të sotmen, çfarë kemi humbur e çfarë kemi mbrojtur dhe çfarë duhet vlerësuar. “Na, breznija e sodshme, qi i kemi jetue veç porsá kohët e mjegullta të lëvisëjeve t’independencës s’onë komtare, nuk diejëm me e çmue sa duehet randsín qi ka per né me pasë per atdhé Shqypnín; lirija çmohet vetem atëherë kur njeri gjindet a bjen në robnín e të huejit. Prandej na kemi pse me kênë fare kondend per ketë cung votre, në të cillin pushon shqyptari zot i lirë në shpi të vet.” E ardhmja e Shqipërisë do të jetë ajo që përgatisim sot, duke pranuar përgjegjësitë tona dhe domosdoshmërinë e një vullneti të fortë për të formësuar ndjesitë e nacionalizmit të vërtetë e për ta orientuar shtetin shqiptar drejt “oksidentalizmit”. Një intelektual duhet të jetë mendjehapur për të njohur e për ta shtrirë larg mendimin “Shpirt i kufizuem – esprit borné – âsht e shamja mâ e madhja qi mund t’i bâhet nji mêndimtarit.” Shpesh zëri i tij ngjan me atë të Platonit në apologjinë e Sokratit.

Shpirt i lirë e kurajoz, një mendje e ndriçuar si e tij, një personalitet dinjitoz dhe i vendosur, si Át Gjon Shllaku, sjell, nëpërmjet disa shkrimeve polemizuese, edhe modelin e debatit dhe të të kundërshtuarit me argument. Si një përshkues i rrugës së filozofisë, ai i përmbahet parimit: “Affirmantis est probare. Vetem asercjoni a se thanja nuk âsht nji prov¸”

Por, ishte duke nisur një kohë e re për kombin dhe vendin. Át Gjoni e dinte mirë çfarë rreziku mund të paraqiste filozofia e re që po përhapej vrullshëm në fundin e Luftës së Dytë Botërore. Konceptet e relativizuara në “Etikën” e Spinozës, Át Gjoni i çon përmes përsiatjesh dhe analizash filozofike drejt një traktati për shekullin ku po jetonte dhe për një erë të re që po zhurmonte mbi vendet përreth e në Shqipëri, komunizmin. “Tash mâ se nji gjysë shekulli Marx e Nietzsche galvanizojn turmat. Ngadhnimi i racjonalizmit abstrakt perftoi si reakcjon dý rrymë, qi, sado në kundershtim ndermjet vetit, perkojn shfronzimin e plotë t’arrsyes.”

Kësaj teme i kushton disa shkrime me objekt analizën e filozofisë komuniste, si: “Çashtje filozofike”; “Problemi i njohtëjes”; “Shka âsht komunizmi?”; “Karakteri religjioz i komunizmit”; “Magna charta e shekullit të sotshem”. Át Gjoni e dinte qysh prej fillimi se çfarë ishte kjo filozofi, por ai nxit analizën dhe reflektimin për mënyrën si lindi dhe çfarë marrëdhënieje ka me utopinë embrionale dhe filozofët, prej të cilëve u frymëzua. Ai ishte student i Jacques Maritain, ishte një njohës i mirë i Marx-it, Feuerbach-ut, Bergson-it, Hegel-it, Fichte-s, Gentille-s, ndaj dhe e shihte qartë se kjo filozofi materialiste (apo edhe ajo e idealizmit absolut që shpërtheu në panteizëm) po shndërrohej në një religjion me dogmë e moral e me kryepriftin e saj – sekretarin e përgjithshëm të partisë. Féja do të ishte rrezik për realizimin e idealit komunist, sepse ajo frymëzon bashkëjetesën mes njerëzve të të gjitha klasave shoqërore, kurse komunizmi nxit, para së gjithash, luftën e klasave. “Diviniteti a se hyjnija e ré para së cillës do të ngjujojn popujt, nuk âsht kurrgjâ tjeter veç Proletarjati a se shoqnija socjaliste. Kurrnji akt i tij, kurrnji mêndim i tij, n’asnji moment së do t’i terhiqet kavís shêjte qi e galvanizon e e shtwn tanë jeten e tij, qi i drejton gjurmët e tija e i vien si normë morale per aktet e jetës së tij”.

Sipas Át Gjon Shllakut, ka disa besime, të cilat nuk kanë kurrfarë dinamizmi në vetvete e nuk kanë për qëllim ekspansionin; ndërsa disa të tjera, prodhojnë pa ndalur legjione apostujsh e kërkojnë t’i mbledhin të gjithë njerëzit në nji botëkuptim të vetëm. “Komunizmi hîn në ketë kategorín e dytë”. Qysh në fillim, marksistët e parë, Marksi e Engelsi, morën një fytyrë profetësh e predikuesish të një kryqëzate bamirëse për njerëzimin. Kur u instalua “definitivisht në Rusí, ndrroi fëtyrë krejt: mystika e proletarjatit ndeshi idén e mesjanizmit”, e cila e gjeti objektin e vet kur leninizmi filloi të përhapë idenë e dashurisë dhe të drejtësisë së tij shoqërore.

Ky ishte modeli i drejtësisë, i vendosur edhe në Shqipëri, që i çoi në vëllavrasje shqiptarët, në mënyrën më të pamëshirshme e sistematike: “U bâ katil fëmija pesëmbëdhetëvjeçár, u bâ katil plaku me thîja… Fjalë e ditës: vdekje e luftë! Vdekje okupatorit, trathtarëvet, kuinsligavet, kompromisaxhijvet, kolonës së pesët, komunistavet e antikomunistavet etj. Gjithkah të shitun, gjithkah trathtarë. Pushka e rrokun me pretekst, të luftohet okupatori, po siellet kundra njanitjetrit. E gjaku shkon rrëkajë…”. /Nga Prof.Dr. Aljula JUBANI/

Loading...