PERSONAZH – Nikolin Guri, i riu që po promovon vendlindjen e tij Shoshin dhe Dukagjinin me kursimet e veta…

Nikolin Gurin jemi mesuar ta shohim si emër të shkruar në shumë e shumë tekste kengësh , në aktivitete kulturore- artistike apo në evente të ndryshme që kanë lidhje me artin .

Por shpirti i një poeti nuk ka sesi të qendrojë larg vendit ku ka lindur sepse është pikërisht ai vend që i jep frymëzim për krijimin e vargjeve të tij. Prej disa kohësh Nikolin Guri po promovon zonën e Dukagjinit, kryesisht Shoshin, në fushën e turizmit.


Deri tani poeti i dashuruar pas Alpeve ka hapur disa shtigje të reja për turistët. Nga kursimet e tij ka bërë të mundur dhe po vazhdon akoma, vendosjen e disa tabelave orientuese të pikave të ndryshme ku mund të vizitohen nga turistët.

Një ndër pikat më të dashura të tij është “Pusi i rrethit” por edhe e gjithë Bjeshka e Shoshit për të cilën po punon me disa organizata për zhvillimin dhe kthimin e saj në një zonë turistike duke ndaluar kështu edhe prerjen e pyjeve si dhe mbjelljen e kanabisit në atë zonë.

Një ëndërr tjetër e tij është rikthimi i rrugës së “Gurit Kuq” në një shteg turistik, ëndërr për të cilën po punon shumë për të bërë markimin sa me parë të këtij shtegu.

Na mbetet ti urojmë punë të mbarë dhe realizim të ëndrrave të tij sepse çdo ëndërr e Nikolin Gurit është jetë dhe zhvillim për Dukagjinin.