Prej vitesh kam dashur të gjej ëmbëlsirat e dikurshme që jemi mësuar. Pas epidemisë së vezëve të rrahura me pana, ëmbëlsirave surrogato të mësuara në perëndim apo lindje, pastiçeria shqiptate ka filluar i kthehet traditës.
Sot e gjen tortën tradicionale të Durrësit, zupën e Gjirokastrës, tortën e turizmit të Vlorës, MonBlan-in e Beratit. Më mungonte Shkodra. Kush është rritur para viteve ‘90 në atë qytet nuk ka si mos ta kujtojë Mark Pojën dhe pastiçerinë e tij në Piacë, në krah të Kafes së Madhe përballë fotografëve.
Pika e forcës e tij ishte “trungu”, më pas “piramida” për konsum të përditshem sidomos nga fëmijët (këta kishin edhe “shamin” për emergjencë). Pastaj Shkodra ka “haxhimakullen”. Këtë të fundit e bëjnë shumë zona në variante të ndryshme, por në Shkodër kjo është vepër arti.
Pasi kërkova në internet, më erdhi informacioni. Për fat Mark Poja ja ka lënë trashëgim zanatin djalit, Diamant Poja. Më gjatë nuk po flas. Po kaluat në Shkodër, mos e lini pa provuar këtë ëmbëlsirën ose haxhimakullen pas një tave krapi në Shirokë. Po ju jap edhe adresën në instagram të pasticerisë së Diamantit. Se një qytet nuk quhet i vizituar po nuk provove kuzhinën e tij. /Nga Dritan HILA, publikuar në Facebook/