PAKETA ANTISHPIFJE/ LSI me tone të forta Ramës: Përzierje e maskarallëkut dhe idiotësisë…

Jemi së bashku në këtë komunikim për të vënë në dukje qartazi për të gjithë qytetarët shqiptarë, se cila është drejtësia për ta dhe cila është drejtësia për Kryeministrin e Shqipërisë. Sot qytetarët duhet të jenë me mendjen top dhe duhet të kuptojnë njëherë e përgjithmonë që drejtësi për ta, nuk ka më. Ka vetëm një drejtësi që mban, përkëdhel dhe mbron Kryeministrin e Shqipërisë. Shumë qytetarë ndodhen sot prapa hekurave të burgjeve për shkak të një drejtësie të padrejtë të kapur, të cilën tashmë e telekomandojnë kriminelët dhe krye trafikantët.

Kryetari i Partisë Demokratike duhet të thërritet para drejtësisë, me vrap, me ankth, me nxitim të jashtëzakonshëm, në mënyrë të paduruar, pasi është paditur nga një frymëzues mbështetës i trafikantëve, ashtu sikurse kolegët e Partisë Demokratike vunë në dukje pak më parë, njësh si një trup i vetëm me trafikantë të njohur, ndërsa Kryeministri i Shqipërisë gëzon të gjitha privilegjet e një njeriu të pa atakueshëm.

Jam këtu që t’i kujtoj edhe njëherë tjetër shqiptarëve tre gjëra të rëndësishme. Kryeministri i Shqipërisë është paditur tre herë. Këto sigurisht nuk janë shpifje, por këto janë realitete të hidhura dhe të rënda. Së pari, kryeministri i Shqipërisë është paditur sepse i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit të hedhë uniformat dhe të bëjë vota. Prokuroria e turpshme e Shqipërisë e ka mbyllur këtë çështje me shkakun se Kryeministri i vendit paska kërkuar falje në Facebook. Pra i gjithë populli shqiptar ka kuptuar standardin që Kryeministri mund të shfajësohet me Facebook, kurse të tjerët shkojnë në burg.

Së dyti, kryeministri i Shqipërisë është i paditur dhe padija qëndron atje, fle ose më mirë të themi mbrohet në bunkerin e Arta Markut, pasi ai pretendoi se paska bërë verifikimin, çertifikimin dhe ekspertizën e audio përgjimit, ku implikohej vëllai i Ministrit të Brendshëm. Ndërkohë që Arta Marku vetë nuk e bëri dot për 4 muaj. Dhe sot e kësaj ditë nuk e ka. Por ky kryeministër nuk thirret të pyetet. Ka shpërdoruar detyrën. Ka bërë hetime paralele. Ka mashtruar opinionin publik duke shpifur 1000 të paqena për një ekspertizë që se ka bërë dhe që nuk ekziston, që është i lidhur me një çështje shumë të madhe që është në hetim. Por ky nuk pyetet. Kryetari i Partisë Demokratike thërritet të pyetet për një padi të një deputeti ordiner të lidhur kokë e këmbë me trafikantët, kryeministri i Shqipërisë, qytetarë fiksojeni në kokën tuaj, nuk thërritet të pyetet. Asnjëherë! Është i paditur.

Së treti është i paditur sërish kryeministri, pasi ka quajtur njerëz që kanë denoncuar të vërteta, sikurse ishte oficeri Emiljano Nuhu, dhe e ka quajtur horr që nuk do t’i ndahet për jetë a vdekje, ky kryeministër i cili bën prokurorin, bën hetuesin, bën gjithçka i është kanosur publikisht, e ka kërcënuar publikisht, pasi e kanë kërcënuar edhe kriminelët këtë oficerin dhe pasi këta nuk e kanë marrë në mbrojtje.

Megjithatë çështja është shumë e thjeshtë qytetarë, ky është i paditur, është padia numër tre. Nuk pyetet ky, nuk thërritet. Kryetari i Partisë Demokratike thërritet me vrap, sepse e ka paditur një deputet mashtrues, një i mbytur deri në grykë me një komprometim të jashtëzakonshëm publik.

Pra përfundimisht, qytetarët duhet ta kuptojnë shumë qartë, ka një drejtësi që i godet për vdekje, i sakaton, i dërrmon dhe një drejtësi, një Prokurori që është e kapur për gryke nga krimi, e kam quajtur dhe po e quaj publikisht edhe njëherë tjetër, zorrën qorre të kryeministrit të Shqipërisë, e cila nuk vepron ndaj tij.

Këto arsye janë arsyet e mëdha për të cilat Europa nuk na lejon që të ecim përpara në integrimin evropian, pasi kjo shkallë kriminalizimi e Prokurorisë, kriminalizimi i qeverisjes, kriminalizimi i jetës së vendit, trafikantët që janë të qetë e mbrohen, përdhunuesit që janë të qetë e mbrohen, sepse përdhunuesi mbrohet, ndërsa ai denoncuesi përpiqet që të arrestohet, të persekutohet. Denoncuesit e djeshëm të ish-ministrit të Brendshëm qëndrojnë në mërgim,sepse nuk mund të rrijnë në një vend që mezi pret që t’i hajë të gjallë kryeministri, sepse janë denoncuesit e së vërtetës. Janë pikërisht këto standarde që e mbajnë larg Shqipërinë nga integrimi evropian, larg një perspektive shumë më të mirë, larg kontrollit dhe syrit akoma më të fortë të europianëve për të mbajtur një qeveri të kriminalizuar në këmbë, e cila kapjen dhe mashtrimin e ka bërë çështje të madhe.

Sot, pikërisht sot, Prokuroria shqiptare duhej të kishte filluar një çështje të katërt, shumë të madhe për kryeministrin, qeverinë e tij dhe të gjithë njerëzit përgjegjës, të cilët kanë mashtruar dhe me borxhin publik, të cilin organi shtetëror kushtetues, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka denoncuar që vërtetë që nuk është 69.9 siç thotë qeveria, por 72%.

Bëhet fjalë për shifra të frikshme të një vendi shumë të varfër. Që nga sot në mëngjes duhet të kishte filluar kryesisht çështjen Prokuroria, Prokuroria që siç thash edhe njëherë tjetër, që të fiksohet në mendjen e qytetarëve, zorra qorre e kryeministrit, duhet të fillonte hetimet dhe i pari që të thërritej duhet të ishte kryeministri. Ka gënjyer publikisht me shifra për borxhin publik të vendit dhe këtë denoncim nuk po e bën opozita.

Po rimerr atë që zyrtarisht organi kushtetues Kontrolli i Lartë i shtetit ka shkruar e zeza në të bardhë, ky shtet maskarenjsh me një drejtësi të poshtër kundër qytetarëve dhe një drejtësi mbrojtëse bunkerizuese për kryeministrin dhe gjithë aradhën e horrave të tij, të cilët janë lidhur njësh me krimin dhe korrupsionin, ky është shteti, kjo është Prokuroria, ky është antishteti, antiligji për të cilin jemi thirrur të gjithë së bashku ta mbrojmë, në mënyrë që Shqipëria të mos rrëshqasë në atë humnerë të rrezikshme nga do e kishte të vështirë të dilte sërish.

Z.Vasili, cili është komenti juaj për vendimin e Presidentit për të kthyer mbrapsht ligjin për Teatrin?

Vendimi i kthimit të ligjit sërish nga Presidenti, është një ngjarje shumë e mirë për shqiptarët. Është një rreze shprese që Kushtetuta e këtij vendi, ligjet e këtij vendi, ka një institucion i cili i respekton. Dhe është shembulli i parë dhe më i fortë që është dhënë për respektimin e ligjit në një moment ku ligji vetëm shkelet, nëpërkëmbet, dhunohet apo është i gjithi në funksion dhe në favor të qeverisë, kundër interesave të vendit.

Së dyti, ka mbrojtur me këtë gjë sërish një pronë publike, të cilën çakenjtë e qeverisë dhe të bashkisë duan ta shqyejnë sa më parë, për të ndarë 200 e ca milionë euro, ku secili ka futur lugën në atë tepsi të madhe. Se të tepsisë janë këta dhe secili do të marrë copën e tij. Së treti intelektualizmës shqiptare, kulturës shqiptare i ka dhënë mesazhin e madh të mbështetje. Së katërti traditës ka dhënë mesazhin e madh të mbështetjes. Së pesti, trashëgimisë sonë, të shkuarës sonë, i ka dhënë një dimension të ri. Pra do thoshim mbi të gjitha është një mesazh pozitiv shumëplanësh. Është mbi të gjitha një mesazh shprese që ka një garant në krye të shtetit i cili Kushtetutën ka pikërisht fanarin udhëheqës së tij. Dhe nuk ka këto interesa të fëlliqura që ka qeveria.

Cili është komenti juaj për paketën antishpifje të propozuar nga kryeministri Rama?

Paketa antishpifje e kryeministrit Rama është një përzierje shumë e veçantë e maskarallëkut dhe idiotësisë. Është një bashkim që vetëm kryeministri i vendit, i mishëron si asnjë tjetër. Pra amalgamën midis maskarait dhe idiotit. /Deklaratë për mediat eLSI- së, lexuar nga Kryetari i GP të LSI Petrit Vasili/