Marrëveshja politike e “14 Janarit” detyron palët që: Pika 2, paragrafi 3: “Për çështjet të cilat nuk gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme”.
Nuk është e vështirë të kuptohet çfarë është shkruar më lart, edhe pa patur formim juridik, dhe që është një fragment i përgjigjes që sot Opozita e Bashkuar i dha mazhorancës që qeveris vendin.
Nga ky paragraf kuptohet qartë se Opozita e Bashkuar, nuk është dakort me nismën për ndryshimin e Kushtetutës nga mazhoranca, me mbështetjen numerike të “opozitës së re”. Sidomos për riformulimin e çështjes së koalicioneve parazgjedhore.
Në traditën 30 vjeçare, marrëveshjet politike në këtë vend, sidomos ato në mes PS-së dhe PD-së, kanë anashkaluar herë pas here pa teklif edhe Kushtetutën jo më ligje të thjeshta apo me shumicë të cilësuar. Këtë herë, mazhoranca qeverisëse e rradhës e këtij vendi, ka vendosur të prishë këtë rregull duke vendosur “rregulla loje” në mënyrë të njëanshme.
Opozita e Bashkuar mund të ketë bërë njëmijenjë gabime, lëvizje të dëmshme përvete por edhe për “popullin opozitar” që e mbështet. Por askush nuk mund ta kritikojë për qëndrimin e mësipërm, lidhur me ndryshimet kushtetuese. Palët kanë pranuar zyrtarisht një “arbitër” dhe ai është OSBE-ODIHR. Opozita e Bashkuar po kërkon që kjo palë e paanshme, të japë opinion në lidhje me nismën e PS-së dhe “opozitës së re” së bashku.
Ajo që nuk kuptohet, është nxitimi deri në “turravrap” i kryeministrit të vendit. Rama gjithmonë ka qenë partizan i dëgjimit të zërit të Ndërkombëtarëve. Pikërisht falë tyre, ai ka fituar shumë beteja, edhe pse me dëm të dukshëm për vendin e shqiptarët në disa raste.
Pyetja që lind natyrshëm është: Pse ndryshimet kushtetuese të mazhorancës duhen miratuar medoemos me 30 korrik? Çfarë ndodh nëse miratohen me 30 gusht, 15 shtator, 1 tetor? Logjikë politike në shembjen e “rregullave të lojës” në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca nuk ka.
Ky “turravrap” i kryeministrit ngjall dyshime të shumta në legjitimitetin e nismës për ndryshime kushtetuese. Sidomos, në kushtet e mungesës së garantit, Gjykatës Kushtetuese për ta shqyrtuar nismën e PS- së dhe “opozitës së re”. Sipas gjasave, Rama është këshilluar dhe ka marrë si përgjigje mundësinë e rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të këtyre ndryshimeve. Nëse nuk ka një afat për ngritjen e kësaj gjykate, Rama mund ti drejtohet Komisionit të Venecias për opinion. E në fund fare, të thërrasë në tavolinën e Këshillit Politik edhe ekspertët e OSBE-ODIHR. Nëse këto institucione ndërkombëtare, i japin të drejtë nismave kushtetuese të Ramës, ai do të dalë edhe më i fortë përballë Opozitës së Bashkuar dhe shqiptarëve. Por mesa duket, Rama nuk e ka këtë garanci prandaj nuk dëshiron të rrezikojë.
E vetmja barrierë për këto ndryshime kushtetuese të njëanshme, është Presidenti i Republikës. Por vetëm njëherë mund të refuzojë me dekret, i cili rrëzohet me shumë lehtësi në Kuvend.
Ajo që duhet theksuar është spiralja shumë e rrezikshme ku veprimet e njëanshme rrezikojnë të fusin vendin. Opozita e Bashkuar, nëse miratohen ndryshimet kushtetuese të njënashme, del de facto dhe de jure plotësisht jashtë sistemit. Edi Rama kështu emëron edhe opozitën që duhet të ketë përballë. E së fundi, takimi me “integrimin europian” i këtij vendi, kthehet thjeshtë në “një ëndërr e një nate vere”. E në fund, ky vend do të ketë në krye një mbret të pashpallur të tipit “Lukashenko” apo edhe “Putin”. /Shënim i ShkodraWeb Media/