Në nëntor 2019, një Gjykatë Apeli në Tiranë, konfirmoi masën e sigurisë “árrest me bùrg” të dhënë nga një Gjykatë e Shkallës së Parë në Tiranë. Atëkohë, Agim Kajmaku kishte vetëm rreth 10 ditë i fshehur nga drejtësia. Sot, një Gjykatë Apeli po në Tiranë, lehtësoi masën e sigurisë për Kajmakun, duke e lënë në detyrim paraqitje.
Pra, as i mbikqyrur nga policia në spitalin privat ku po kurohet për zemrën e diabetin, as në arrest shtëpie. Kjo, brenda 24 orëve që shteti që “e kërkonte” prej muajsh, e zuri “mat” në një spital në kryeqytet.
Edhe më naivi e kupton se ishte një skenar. “Vetëdorëzohu, paraqitu në një spital me probleme shendetësore sepse një Gjykatë Apeli do të heqë masën e sigurisë”. Arsyeja? Sepse është “i sëmurë” dhe nuk mund të përballojë burgun. Po arrestin e shtëpisë, në shtëpinë e vet, me kondicioner dhe me mjekëq që mund ta asistojnë non stop? Jo, as atë nuk e përballon dot. Detyrim paraqitje, po. E përballon dhe madje me sukses.
Edhe këtë paraqitjen, e cila duhet vertetuar para një oficeri gjyëqsor, e zgjidh lehtë. Punë firme. Ose e hedh dikush në vend të Kajmakut, ose shkon vetë oficeri gjyqësor në ndonjë lokal ku Kajmaku po rikuperohet dhe i merr firmën. Natyrisht, pa e shqetësuar shumë, pasi mund ti “përkeqësohet sëmundja”.
Morali? Kajmaku po paraqitet në lartësinë e “homologëve” të tij të kësaj fushe: Sigurimi i një vendi në një spital për të evituar qelinë e një burgu, është metodë e njohur. Edhe Kajmaku, këtë po bën. Por natyrisht, ka një bonus. Një Gjykatë Apeli në Tiranë i jep të drejtën që të lërë edhe spitalin, të lëvizë i lirshëm në të gjithë vendin. Sepse ai është më i fortë se “të fortët”!
E doni edhe një parashikim tjetër? Nëse do të dënohet për tre veprat penale që i atribuohen, sërish nuk do të bëjë asnjë ditë burg. Në rastin më të keq, do të kalojë në sherbim prove. Sepse kajmakët janë më të barabartë se të tjerët përballë ligjit, madje edhe përballë vetë “drejtësisë së re”.
Precedenti ekziston gjithmonë, është i gatshëm: Ish- ministri i Brendshëm Saimir Tahiri! Pastaj, ku akùzat Tahirit me ato ndaj Kajmakut… Ka të drejtë ish- kryebashkiaku i Vorës! Ai është “mëkatar” vetëm për disa firma e për ndonjë gjë të pavërtetë të deklaruar apo mosdeklaruar.
E në fund, një urim i detyruar, si për çdo frymor tjetër. Shërim të shpejtë Agim Kajmaku! Kthehu shpejt, se të presin tërë ato punë. Fushata po afron dhe kemi nevojë për çdo votë! /Nga Blerti DELIJA/