“Opozita e re” parlamentare la sot sallën e Kuvendit në shenjë proteste për mosmarrjen në konsideratë të kërkesës së saj për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Një grup deputetësh që rastësisht zunë nga një karrike në Kuvend, pa përfaqësuar asnjë forcë politike nga ato që i futën në lista, kryesisht në vendet e fundit.
Ky grup amorf, që shet moral politik bazuar mbi moralitetin e marrjes së mandatit të deputetit, kërkon ti imponohet jo vetëm tre subjekteve më të rëndësishme në vend dhe që në rastin më të keq, përfaqësojnë mbi 75% të vullnetit politik të shqiptarëve, bazuar në votë.
Ai guxoi ti kundërvihej edhe aleatëve të natyrshëm të këtij vendi, SHBA dhe BE, që bekuan pikërisht një marrëveshje, që “opozita e re” kërcënon mos ta votojë. Sigurisht, në emër të një loje që provoi të luajë gjysmë publikisht edhe kryeministri i vendit Edi Rama, në ndjekje të ëndrrës për një mandat të tretë radhazi, duke penguar koalicionet parazgjedhore e duke i hedhur si kockë “opozitës së re” hapjen e listave.
Edhe pse e futur në Kuvend mbi shpatullat e PD-së e LSI-së, kësaj opozite iu deshën gati 17 muaj të kuptojë se pse opozita reale u detyrua të lërë mandatet e deputetit. Jo pas 17 muajve, por pas 5 viteve e gjysmë, kur nuk i lejohej as të fliste lirshëm në sallën e Kuvendit. Një opozitë, e votuar nga shqiptarët dhe jo si kjo “e reja” që u fut nga fundlistat e boshatisura të opozitës që u votua në 2017- ën.
Kjo pozitë, edhe sot, fliste në emër të shqiptarëve, madje të 75% të shqiptarëve që duan lista të hapura. Në fakt, kë përfaqëson kjo opozitë sot në Kuvend? Partitë politike, nga listat e të cilave dolën, JO! Forcat e tyre nuk i kanë matur në përballje elektorale sepse janë produkt i rreshtimit në lista dhe jo i përplasjes “kokë më kokë” në sistem mazhoritar. Shkurt, përfaqësojne vetëm veten nominalisht dhe sigurisht, askush nuk ka të drejtë t’ua shuajë ëndrrën për të lënë gurmë si “baballarë të kombit”.
Me gjasë, asnjë nga ata që sot janë “opozitë e re”, nuk do të mund të ulen sërish në ato karrige parlamenti. Megjithatë, kanë mundësi të japin të parët “shembullin” se si mund të hapen listat, edhe pa patur nevojë për ndryshime kushtetuese apo ligjore.
Meqë janë vetë morali në politikë, le të krijojnë një apo disa parti. Të regjistrohen e të marrin pjesë në zgjedhje, vendore apo politike, kurdo të bëhen. Listat e tyre e kanë në dorë vetë ti hapin: Me marrëveshje gjentellmenësh apo para një noteri, të ndajnë zonat sipas qarqeve e qendrave të votimit dhe kush të marrë më shumë vota në to për subjektin që përfaqësojnë, të futet në Kuvend, nëse do të arrijnë të marrin votat e duhura, me apo pa koalicione. Ai që merr më pak vota, të mos pranojë marrjen e mandatit, duke i hapur krahun atij që ka marrë më shumë. Apo nuk i zënë besë njeri- tjetrit…?!
Nëse nuk ishin deri më sot pjesë e një loje të dirigjuar nga Edi Rama, kjo është rruga më e mirë, më morale dhe shembullore për politikën.
Sot ka nisur procesi i “futjes së dy këmbëve në një këpucë”. Sepse edhe vetë ata që janë sot “opozitë e re”, duhet të kuptojnë diçka: Pavarësisht se ndërkombëtarët nuk shprehen publikisht, e dinë se ata numra në Kuvend, përfaqësojnë vetëm veten. As partitë dhe aq më pak shqiptarët.
E fundit, në këtë vend çudirash, përgatituni edhe për të tjera. Ndërsa diskutohet për 84 vota që duhen për miratimin e marrëveshjes PD-PS-LSI për Kodin Zgjedhor, ky numër do të tejkalohet ndjeshëm në votim. Mos u habisni që do të votojnë pro edhe ata që sot përbetohen se vota e tyre nuk do të jetë mbështetëse deri sa të miratohen listat e hapura dhe ndalimi i koalicioneve parazgjedhore. Këtu do jemi… /Nga Blerti DELIJA/