Kurioziteti, duke lexuar në rrjet rreth një “studimi” të kryer nga studiuesi Aulon Tare mbi jetën e Martin Camajt dhe Ernest Koliqit, më shtyu edhe mua që ta lexoj. Them studim, sepse nëpër statuse Facebook-u ashtu po diskutohet.
I lexova plot 37 faqe, që nëse iu hiqen fotot, zbresin automatikisht te gjysmat e faqeve. Sigurisht unë nuk jam akoma studiues, (e njoh pak jetën e Camajt, e aq më pak Koliqin,) por meqë dua të bëhem herëdokur, vëzhgoj me interes mbi studimet që dalin, metodën e tyre. Kështu, pasi e lexova dhe rilexova u binda që nuk mund të jetë kurrsesi një studim, por mund të quhet thjeshtë një “material”. Kjo për disa arsye që do të renditen më poshtë;
1. Një material mbi materialet (përmbajtja)
Që në faqen e parë të tekstit thuhet “Ky është një material i përgatitur për Peizazhe.com” . Pra nuk është kurrsesi studim, këtë na e thotë të nënkuptueshme autori dora vetë, dhe njëkohësisht nuk është as raportim, as ese, as analizë, as koment, as kritikë, as gjësend tjetër veçse material. Kështu një material, nuk mundet me qenë kurrë një studim, edhe pse një material mund të vlejë shumë për të kryer një të tillë, por këto janë dy gjëra krejt veçmas dhe krejt të ndryshme.
Po të hapësh “materialin”, është dingaz me materiale. Është një si me thënë material materialesh, ose materiali i materialeve, është si me thënë krye materiali, materiali që mbledh materialet, ose materiali i ndërtuar mbi materiale duke vazhduar kështu pafund në kësi përsiatje fjalësh. Fjalë njëkohësisht ambige dhe evazive. Nga ana tjetër, materiali, për ta ruajtur veten si të tillë lipset të mos kopjohet në çdo faqe të tij, madje edhe në mes të faqes më një shkrim të madh sa vetë faqja.
Sigurisht në një analizë të thjeshtë semiotike, kjo e rrit vlerën kuptimore të fjalës material në këtë material. Një material që nuk duhet vjedhur, sepse është shumë me vlerë, pronë e rëndësishme intelektuale,etj. Kjo fjalë të shpie drejtë idesë që “studimi” në vetvete të mos merret si i tillë.
2. Formati
Përkundër përmbajtjes dingaz me materiale, vërehet një zbrazëti në referenca. Ato janë të pakta, pa një model uniform referimi, gjë që e bën studiuesin gjithë e më pak studiues, dhe materialin gjithë e më pak studim. Në radhitjen e tekstit, në formatin e paragrafëve ndjehet një ngut në punë e sipër. Dyndje fotosh, të cilat në disa raste nuk i shtojnë asgjë më shumë tekstit veçse numrin e faqeve.
3. Paradigma paragjykuese dhe prirja e dukshme subjektive mbi tekst
Së pari, që në fjalitë e para të materialit, autori nuk e ndan dot veten e tij as nga teksti as nga materialet mbi të cilat është ngritur. Kjo e bën shumë të angazhuar, jo në trajtimin e çështjes, por në një rezultat fort të dëshirueshëm që në nisje të punimit. Herë pas here flet në veten e parë, duke i dhënë vetes jo vetëm kompetenca të tepërta, por edhe tagrin e lexuesit.
Këtë e bën duke u rrekur t’i krijojë atij përshtypjen me përshtypjet e veta. Disa fjali nisin me “Më duket se…”; “Më krijon binden që…”; “Mu krijua përshtypja…”; “Mund të themi…” . Një lexuesi normal nuk i duhet aspak se çfarë përshtypje i është krijuar autorit kur ka gjetur faktet, aq më tepër kur shkruan rreth tyre. Ndërsa një lexues i rafinuar, të refuzon fund-e-krye. Për këtë arsye një profesoreshë e imja në vit të parë bachelor nuk ma pranoi një detyrë, ngaqë kisha shkruar në vetën e parë. Nga këndvështrimi i shkrimit akademik, autori i materialit është dashje pa dashje i barabartë me studentë bachelor-i dhe tërësisht paragjykues.
Së dyti, ai angazhohet në një agjendë kuptimore në tekst. Sidomos kur thotë se letra që Camaj i dërgon Lazër Sheldias, “duhet marrë me rezerva sepse arsyet e vërteta mund të mos jenë treguar në letër” . Në të tilla fjali autori, tashmë jo që është i përfshirë tërësisht në tekst bashkë më emocionet e veta, por është politikisht i angazhuar t’i tregojë lexuesit se cili dokument duhet marrë me rezerva dhe cili jo.
Pra, sipas tij ata që nuk e implikojnë Camajn, duhen marrë me rezerva, ndërsa dokumentet që sipas tij e implikojnë duhen marrë të mirëqena. Praktikisht ky shënim, e çon studiuesin në theqafje akademike. Nisur nga kjo, një lexues i hollë t’i merr që të gjitha dokumentet e paraqitura në punim me shumë rezerva.
4. Mali i pyetjeve dhe gropa e përgjigjeve
Në shkrimin akademik dhe në metodat kërkimore, studiuesve të rinj iu mësohet që studimet, zbulimet, kërkimet dhe shkrimet akademik kryhen për të zgjidhur një problem dhe jo vetëm për të ngritur një problem. Në metodologjinë e kërkimeve shkencore, ngrihen disa pyetje, të cilat lypin medoemos përgjigje.
Në materialin e dhënë janë ngritur plot 62 pyetje. Gjykojeni ju nëse janë shumë apo pak. Vetë autori, sapo gjuan në breshëri me 4-5 pyetje, fill vijon: “Të gjitha këto pyetje mund të marrin përgjigje…”, por praktikisht nuk marrin. Nuk marrin ose ngaqë mungon argumenti, ose ngaqë janë retorike. Siç e dimë që nga shkolla fillore, pyetjet retorike nuk lypin përgjigje, por lypin me ngulm të bindin në mungesë argumenti një audiencë, kryesisht pasive. Nisur nga ky hendek që krijohet mes pyetjeve dhe përgjigjeve, metaforikisht punimi është një gropë e thellë dhe e gjerë.
5. Spekulimi
Autori ndër 62 pyetjet e ngritura, shtron edhe pyetjen “Pse Camaj nuk shkoi në Amerikë por shkoi në Romë?” Edhe pse argumenti jepet, nuk është kurrsesi aftësi të bësh pyetje, sidomos për të shkuarën. Aftësia e studiuesit është të jap përgjigje. Më tej, autori thotë më shumë guxim që “Në mungesë të dokumentacionit të palës Jugosllave ne vetëm mund të spekulojmë”. (Materiali, faqe 11).
Nuk e di se kush ia jep një njeriu të drejtën në këtë botë të spekulojë me vetëdije mbi jetën e dikujt tjetër, qoftë ky i gjallë apo i vdékùr, aq më tepër një studiuesi. Të thuash në një punim që unë po spekuloj, ke bërë praktikisht vetëvrásjè akademike.
Po ashtu, diku më tej thotë “Ky supozim del nga dokumenti i mëposhtëm…”. Në kërkim shkencor dokumenti vërteton ose hedh poshtë supozimin dhe jo burimi të dalë në supozime. Këtë gjë e bën një burim jo i besueshëm. Gjërat këtu janë të mbrapshta.
Kulmi i spekulimi arrin kur autori merr përsipër të flasë për të dhënat që nuk i ka gjetur dot. “Nuk ka asnjë të dhënë nëse takimi mes dy të rinjve (Camajt dhe të shoqes serbe) ishte orkestruar nga UDB”. Po pse more zotëri çon ujë veç në stanin tënd? Një studiues, kur nuk ka të dhëna më mirë është ose të kërkojë e t’i gjejë ose të heshtë, të trucë në karrigen e vet.
Nga sa më sipër, studiuesit i duhet minimumi që punimin ta redaktojë, që të jetë në rregull me parimet minimale të shkrimit akademik. /Nga Alban F. Tufa/