Matura ka qenë kryelajmi i ditëve të fundit në fushën e edukimit, në fushën e jetës, po e ashtëquaj të tillë për një sërë faktorësh të lidhur ngushtë me edukimin e duhur që bëjnë në të ardhmen përballimin e sfidave me sukses.
Matura gjithmonë ka qenë si urë lidhëse mes së tashmes e së ardhmes, por së fundmi po shihet si kundërshti mes asaj çfarë duam të bëhemi e sa arrijmë.
Këto të dyja qëndrojnë aq sa larg dhe afër me njëra-tjetrën.
E para kategori janë ato që duan dhe arrijnë atë që duhet me punë,si njerëz të edukuar,të qytetëruar e mbi të gjitha me parime e këmbë në tokë.
E dyta kategori janë ato që duan dhe arrijnë ,por arrijnë në fund të njëjtë me kategorinë e parë në forma e mënyra të turpshme.
Në forma që të vjen të vjen të nxjerrësh vrer e helm nga goja. Në forma që duhet të dënohen. Unë gjykoj se po ashtu duhet ,të dënohen, sepse kopja është vjedhje, e nëse kryen një vjedhje në shtetin tonë demokratik dënohesh.
A ka vjedhje më të “ulët” se dija?!
A ka njeri më të ulët se ato që bëhen kopje e tjetrit për të blerë një notë që nuk i përket.
Që të marrë diçka që nuk ka punuar për të.
Pse nga maturantët nga viti në vit bie poshtë fraza “Ç’të mbjellësh do të korrësh.”
E trishtë aq sa e dhimbshme.
Realiteti po na servir tjetër tablo që për shqipdashësit e arsimdashësit vjen me ngjyrat e errëta.
Ngjyrat e errëta të një shoqërie që nesër do të jetë e ardhme. Një shoqërie që po preferon të shkelë në dërrasë të kalbur, se kurrë nuk mund të ketë diçka më të kalbur se shpresat e ngritura për një të ardhme mbi shpatullat e tjetrit.
Nënvlerësimi i punës së tjetrit dhe mbivlerësimi i vlerave vetjake të paqëna.
Kur merret guximi për të kopjuar në fund të ciklit të studimeve, vallë vullneti për të mësuar kishte humbur në tre vite,apo fjala vullnet u mungon atyre që zgjedhin të ecin në krahët e të tjerve.
U mungon vullneti, sigurisht, kur në kaq kohë moderne heronjt,prindërit bëjnë të pamundurën të gjejnë “miqtë”, “format kopjuese”, e sigurisht notat e shkëlqyera.
Paradoksale, notë e shkëlqyer për dikë që nuk di as të shkruajë shqip.
Paradoksale, notat e ulta përfundimtare shoqëruar me nota të shkëlqyera provimesh.
Paradoks, ëndrrat e atyre që punojnë dhe atyre që tre vite flenë e zgjohen ditën e provimit të maturës.
Ngjashëm me ato përrallat që princeshat zgjohen në fund për të jetuar të lumtur.
Shoqëria jonë kurrsesi nuk duhet të jetë një shoqëri e ngritur mbi fakte legjendash e përrallash por një shoqëri shëmbëlltyre e atyre që punojnë deri në agim të ditës.
Shëmbëlltyrë e atyre që nuk njohin lodhje.
Duam auditore me maturantë të vullnetit të plotë të punës, të guximit për t’i bërë gjërat vetë, e mbi të gjitha njerëz ku e ardhmja e të gjitha fushave t’u besohet pa frikë.
Duam maturante e studentë të së nesërmes si ato të kategorisë së parë, duan dhe arrijnë atë duan me punë e bëhen njerëz të suksesshëm e të besueshëm në profesionet e arritura, vërtetë të arritura. /Nga Elsa SULA, dërguar për botim në ShkodraWeb Media/