Sot është mësuar se katër antarë të KQZ- së janë marrë në mbrojtje nga Njësia Speciale e Policisë. Bëhet fjalë për katër antarët që kanë marrë përsipër të injorojnë një dekret të Presidentit të Republikës. Jo vetëm kaq, pasi injorimi është bërë përmes interpretimit publik duke e konsideruar “nul” atë.
Këto 25 vite, dekretet e Presidentit të Republikës janë rrëzuar vetëm nga Kuvendi dhe gjykatat. Më saktë, Gjykata Kushtetuese kur i është kërkuar interpretim ose gjykatat administrative kur dekretet konsiderohen si akte administrative të kreut të shtetit.
Në rastin më të mirë, katër antarët janë në kushtet e “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa dekreti i Presidentit ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme ligjore me botimin në Fletoren Zyrtare. Në fakt, nënkryetari dhe tre antarë të KQZ-së, në ato poste si propozime dht të mbështetur nga mazhoranca aktuale, duhej të merreshin nën hetim.
Prokuroria nuk ka nevojë as për kallëzim nga askush, teksa “shpërdorimi i detyrës” i dyshuar, është publik dhe ekzistojnë filmime audio- video. Organi i Akuzës mund të fillojë çështjen “kryesisht”, meqenëse faktet janë të ditura botërisht. E në këtë rast, me kuadrin e ri ligjor, nuk është e nevojshme që procedimi të iniciohet nga Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, sepse çdo prokuror ka tagër pët ta bërë.
Në kushtet kur po pritet emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm, ka pak gjasa që kjo të ndodhë. Duke vazhduar në linjën e artikuluar prej kohësh nga opozita, atë të “kapjes” së institucionit nga mazhoranca.
Nga sot, shqiptarët- më saktë ajo pjesë që beson Presidentin e Republikës dhe legjitimitetin e dekretit të tij, përveç se ti taksapagues do të vazhdojnë të ushqejnë me rroga këta katër rrogtarë, do të paguajnë edhe policët që merren me sigurinë e tyre.
Sot, Presidenti i Republikës njoftoi fillimin e konsultimeve me forcat politike për caktimin e një date të re zgjedhjesh vendore. Mbase nuk do të arrihet konsensus. Por nëse arrihet dhe Shqipëria do të ketë një datë të re zgjedhjesh, si do të veprojnë këta katër “kamikazë politikë”?! Nëse nuk do ta njohin, atëherë prangat janë të domosdoshme të duart e tyre. Nëse do ta njohin, do të thotë se në mosnjohjen e dekretit për shfuqizimin e 30 qershorit, ata kanë shkelur ligjin. Përsëri duhet të mbajnë në duar “byzylykë”.
Sipas gjasave, herët apo vonë, kur Shqipëria të ketë institucione dhe “dikush” të kujtohet, “ata ishin katër” do të përfundojnë pas hekurave. Nuk janë kriminelë vetëm ata që trafikojnë drogë, dhunojnë, plagosin apo vrasin njerëz. Ata me “kollare” në të gjithë botën, konsiderohen më të rrezikshmit. /Shënim i ShkodraWeb/