28 vjet më parë Partia e Punës së Shqipërisë do të futej në procesin e përshtatjes me sistemin e ri që nisi jetën në dhjetor 1990. Në një kongres të zakonshëm të PPSH-së, i pari i partisë së re që do të lindte, u shfaq Partia Socialiste e Shqipërisë. Ishte thjeshtë një ndryshim emri, i cili nuk e di nëse mund të konsiderohet themelim.
Pas 50 viteve ekzistencë si Parti Komuniste, më pas Parti e Punës, do të niste jetën një subjekt politik me mbiemër europian, por duke patur si trashëgimi një të kaluar të hidhur si “boshti i të keqes” për mijëra shqiptarë gjatë 45 viteve diktaturë.
“Rebeli” më i famshëm ishte Dritëro Agolli, i cili guxoi shumë për vitin 1991 por edhe për vitet në vijim siç ka treguar historia e këtyre 30 viteve të fundit.
Në krye të PS-së, me emërim, zgjedhje apo sugjerim erdhi Fatos Nano, ai që sot konsiderohet lideri historik i socialistëve shqiptarë. Dukej e vështirë të besohej, por nën drejtimin e tij 14 vjeçar, madje edhe nga burgu, ai arriti të vendosë themelet e një partie vertetë moderne dhe padyshim, më liberalja në tregun politik shqiptar.
Përplasjet e forta me Metën dhe Majkon, ndoshta më të fortat në historinë e pluralizmit, u zgjidhën përmes garës brenda PS-së. Madje, për herë të parë e të fundit mbase, duke dorëzuar qeverinë e partinë për ti rimarrë përsëri përmes zgjedhjeve brenda partisë së tij nga Fatos Nano.
KPD-të e famshme, ku edhe një socalist i thjeshtë ndjehej i barabartë me kryetarin Nano, madje e sulmonte pa teklif, janë të famshme sot e kësaj dite po të shihen.
“Shizma” e madhe, kjo edhe jo shumë për faj të Fatos Nanos sa për “etje” për të qenë në krye të Ilir Metës, ishte Lëvizja Socialiste për Integrim. Të tjerat, u shuan pa u ngjizur mirë, mes të cilave e fundit “Libra” e Blushit.
Sot, socialistët festojnë 28 vjetorin e partisë së tyre, e cila që nga 2013 është pagëzuar si “Rilindje”, ndërsa nga 2005 është shembulli më i mirë se si nuk duhet të funksionojë një parti politike.
Gradualisht, muaj pas muaji, vit pas viti, kryetari pasues i Fatos Nanos ia doli ta bunkerizojë, ta kthejë në gati një pronë të vetën, duke bërë të ndjehen të huaj edhe themeluesit përballë rilindasve. Një parti e lidhur fort me pasanikët, oligarkët e mëdhenj dhe përherë e më shumë e shkëputur nga shtresa e varfër, mbëeshtetja e të cilëve është vokacion të paktën teorik. Një subjekt politik, i drejtuar nga një kryetar, që politikën si pasion që e shihte dikur, sot e ka motiv për të jetuar. Sidomos karriken e lartë të kryeministrit. E çfarë është më e rënda, kthimin e kësaj force politike në strehë dhe ushqim për elementë me të shkuar të errët apo të errësuar edhe gjatë përfshirjes së tyre në qeverisje.
Vështirë që në 30 vitet që do të vijnë, një forcë politike të ketë në rradhët e saj kaq personazhe të errëta, të akuzuara apo edhe në gjykim për afera të rënda, deri në trafik prostitucioni apo droge.
Dhe e fundit, që mendoj është edhe më e rëndësishmja. Fatos Nano rrënjosi parimin “sakrifikojmë pushtet për të ndërtuar shtet”, të cilin sot Edi Rama e ka kthyer në invers: Sakrifikojmë shtetin për të mbajtur pushtetin!
Kapja apo qoftë edhe “etja” publike për të vënë nën hyqëm institucionet kushtetuese e të pavarura, është tipari dallues i 6 viteve të qeverisjes, jo të Partisë Socialiste por të Rilindjes. Fatkeqësisht, sot PS-ja e mbulur me petkun e Rilindjes, është thjeshtë një mekanizëm në shërbim të një individi, etja e të cilit për pushtet tashmë nuk njeh asnjë limit. Këtë e kanë kuptuar edhe socialistët, tek shohin përditë “shtëpinë” e tyre të bëhet më e huaj.
Sot në fakt, është ditëlindje. Ditëlindje në kuptimin e përvjetorit sepse në 1991-in PS nuk lindi, thjesht ndryshoi mbiemrin duke trashëguar edhe të gjitha asetet. Asete, të cilat Fatos Nano arriti ti transformojë, por që fatkeqësisht pasardhësi i tij po i kthen frikshëm me reminishenca të partisë- shtet, ekzakt si Partia e Punës.
Ne vazhdojmë të besojmë se Partia Socialiste, ashtu si Partia Demokratike dhe ndonjë tjetër, janë asete me vlerë kombëtare, trashëgimi e hershme apo edhe e re e asaj që kemi qënë dhe jemi sot ne shqiptarët. Por në kushtet aktuale, Rilindja po i ngjet përherë e më shumë një sekti në shërbim të një individi, duke rrezikuar edhe standartet thelbësore të gjithëpranuara e gjithëmbështetura nga 1990-a. Edhe nga vetë Edi Rama dikur!
Gëzuar përvjetorin Partia Socialiste, sa më shpejt jashtë kthetrave të Rilindjes e rilindasve, për t’u kthyer si “shtëpia” e të gjithë socialistëve!
Gëzuar socialistë kudo që jeni! /Opinion nga ShkodraWeb/