Një profesor i psikoanalizës, i cili për disa vite është marrë gjerësisht edhe me psikiatrinë, me pacientë që vuanin prej çrregullimeve psiqike, vjen një ditë në leksion e mendushëm thotë:
– Unë jam i bindur se ne të gjithë jemi në njëfarë mënyre jo fort të rregullt mendërisht sa kohë i quajmë ata të tjerët të çrregullt mendërisht. Shikoni ç`përgjigje më dha një pacient i psikiatrisë të cilin kam marrë përsipër që ta rikthej në “rregullsinë” e normalitetit tonë. Hyj në dhomë dhe e gjej duke më pritur.
– Profesor si je? Gjithçka mirë atje jashtë?
– Martin – i them. Çfarë dite është sot?
– E martë profesor – përgjigjet ai.
– E vërtetë, e martë. Po nesër çfarë dite do të jetë? – e pyes sërish.
– E martë profesor – përgjigjet Martini.
Më humb ndonjëherë durimi me Martinin, pikërisht me këto gjërat e vogla që nuk kanë pikë rëndësie në vetvete, por unë e di sa i aftë është ai ndaj nervozohem keq ndonjëherë.
– Po mirë, Martin – i them. Ti e di mirë se java ka disa ditë. Secila prej tyre është e veçantë me një emër krejt të sajin, si ne njerëzit. Përse ti nuk je i aftë të dallosh që nëse sot është e martë atëherë nesër detyrimisht do të jetë një ditë tjetër që nuk quhet e martë. Cila është ajo ditë që vjen pas të martës?
Martini ishte krejt i qetë. Ulur përballë meje me sy që nuk shprehin asgjë, buzëqesh disi me ironi e thotë:
– Unë habitem me ju profesor, ndërkohë ju qenkeni habitur me mua. Si mund të mendoni ju që nesër do të jetë një ditë e re? Ju mendoni vërtet që nesër do të jetë e mërkurë? Jo profesor, nesër do të jetë e martë, edhe pasnesër, edhe javën tjetër, edhe muajin e ardhshëm. Gjithnjë do të jetë veç e martë sepse nëse nuk ndryshon asgjë, nëse ju të gjithë keni vendosur që t`u ndërroni vetëm emrat ditëve të jetës tuaj e t`i mbani ato po aq të zymta e të tymta siç i jetoni atëherë ju të gjithë kemi vendosur të jetoni në një gënjeshtër të madhe që ia injektoni vetes çdo ditë sapo hapni sytë. Një ditë e re vjen kur zgjohesh me dëshirën për të ndryshuar realitetin e pisët ku jetojmë, në mos e ndryshofsh dot vetë bëj diçka, sado të vogël, që të bindësh dhe dikë tjetër si vetja se dy janë gjithnjë më shumë se një. Por jo, ju kemi vendosur vetëm të ankoheni ose në rastin më të mirë, të mos e shihni realitetin por ta mbuloni atë me jorgan të butë nga sipër.
Nëse nesër për ju është e mërkurë profesor, mua më vjen mirë që ju e keni jetën me ngjyra sikur ditët e javës e drita që ato duhet të sjellin për ardhmërinë. Unë nuk kam asnjë ditë të re sa kohë nuk kam mundësi të ndryshoj asgjë. Dhe si unë janë më mijëra që i keni lënë të lirë atje jashtë sepse nuk kanë guximin ta thonë këtë të vërtetë, ndërsa unë e them dhe më keni mbyllur këtu brenda!
Profesori heshti mendueshëm. Pas dy ditësh bashkë me profesorin m`u dha mundësia dhe mua ta njoh Martinin. Është nga ato takime që nuk do ta harroj kurrë në jetën time. /Nga Ervina TOPTANI, publikuar në Facebook/