NEWS I ShkodraWeb.com

ShkodraWeb Media – E Verteta të bën të lirë!

OPINION – Ja si padashur media kthehet dhe në një mjet propagandistik duke cënuar jo vetëm lirinë e saj por…

Në shekullin e njëzetenjëtë, teknologjia ka përparuar, duke sjellë mjaft ndryshime në transmetimin e drejtpërdrejtë të lajmit. Media, një institucion i pavarur ka përfituar nga ky zhvillim duke përdorur mjetet teknologjike në përcjelljen e lajmit në minutën e fundit. Kjo ka ndikuar gjithashtu dhe te marrësi i informacionit, pra publiku.


Me ardhjen e pluralizmit në vendin tonë, media fitoi një pozitë të rëndësishme. Transmetuesi publik nuk ishte më i vetmi informues masiv. Hapja e të tjerë televizioneve, gazetave, faqeve të internetit, ka sjellë konkurrencën në treg. Është e pamundur që në një “tranzicion” të tillë të mungojë dhe shumëllojshmëria e lajmit. Mirëpo, informacioni i gjerë për opinionin publik nuk erdhi lirisht, por erdhi i shoqëruar nga censura politike e shoqërore.

Edhe pse sot gjendemi në demokraci, ende nuk kemi një medie të konsoliduar e të bashkuar. Mjaft gazetarë, reporterë ndihen të kërcënuar në raportimin e së drejtës dhe së vërtetës. Informacioni i shpërndarë në medie lipset të ketë cilësi si dhe të jetë i drejtë për të informuar publikun. Sipas organizatës Reporterë pa Kufij, Shqipëria ka pësuar rënie në indeksin mbarëbotëror. Kjo është vënë dukshëm re dhe nga ligjet e miratuara së fundmi, ligje të cilat turbullojnë dhe rezervojnë cilësinë e informacionit.

Mediet shqiptare shpeshherë kufizohen në ato raste në të cilat riprodhohen fjalë të personaliteteve apo figurave publike. Trysnia nga faktorët e jashtëm, pra interesat shtetërore apo politike cënojnë lajmin e transmetuar apo publikuar në favor apo disfavor të njërës apo tjetrës palë. Edhe figurat e reporterit dhe gazetarit nuk konsiderohen mjaftueshëm të vlershme në kohën kur mbarë globi e çmon figurën gazetareske si më të rëndësishmen në faktimin e së vërtetës.

E prekur dhe nga pandemia COVID-19, Shqipërisë dhe shqiptarëve u nevojitej një përcjellje e duhur e lajmit. Instancat kanë qenë duke dhënë deklarata të regjistruara, të cilat kanë arritur të shmangin pyetje të gazetarëve, duke e dhënë “të gatitur” materialin nga interesat personale politike të instancave. Medieve nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të transmetojnë këtë lajm të parapërgatitur.

Pa dashur, media kthehet dhe në një mjet propagandistik duke cënuar jo vetëm lirinë e saj, por edhe pavarësinë. Çdo medie është e lirë të shprehet dhe të japë opinionin e vet të pavarur, në mënyrë që të përqasen të gjitha opinionet e publikut. Shteti nuk duhet ta ndërpresë këtë të drejtë duke deklaruar mbylljen e këtij transmetuesi, gazete apo publikuesi informativ. Fillimisht duhen ndjekur rrugë të cilat do të vërtetojnë lajmin e dhënë. Nuk është asnjëherë e drejta e shtetit të kryejë këtë “hetim”, aq më tepër mbi një institucion të pavarur siç është dhe media.

Kjo pretendohet të arrihet në vendin tonë. Ende nuk shihen hapa konkretë në arritjen e këtij qëllimi, por pavarësisht kësaj, asgjë nuk mund të arrijë të dobësojë ndikimin që ka media në jetën e përditshme dhe mbarëvajtjen informative. /Nga Heldi KODRA, dërguar për publikim në ShkodraWeb Media/