Fotoja më sipër ngjason me ato të dikurshme të Bejrutit, por në fakt është në kryeqytetin shqiptar, Tiranën tonë. Tregon një realitet, që po shfaqet herë pas here dhe jo rrallë në vendin tonë.
Ngjarja e sotme vjen në harkun e 24 orëve, kur nga Shkodra ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, rikonfirmoi se do të jetë në detyrë edhe në zgjedhje e 25 prillit 2020.
Eksperienca e 30 viteve në Shqipëri ka treguar se sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve, aq më tepër brishtësohet rendi. Sa më tepër shteti dhe strukturat e tij angazhohen në funksion të arritjes së qëllimeve politike, aq më tepër merr zemër “bota e errët”, e lidhur ose jo me politikën, direkt ose indirekt.
Parashikimet janë më shumë se të zymta. Aktiviteti i “botës së errët” do të njohë zgjerim më të madh. Kur kryeqyteti shqiptar i ngjau sot Bejrutit, me një eksplozion të frikshëm me komandim në distancë (sipas gjasave), imagjinoni çfarë mund të pritet në qytete të tjera.
Pjesa e padukshme por e fuqishme e shoqërisë shqiptare, padyshim të të fillojë edhe negociatat për përkrahje/mbështetje në fushatë zgjedhore. Benefitet apo bonuset mund të nisin me “liri” deri në datën e zgjedhjeve por edhe angazhim të drejtpërdrejtë në proces, me metoda tashmë të njohura. Nuk është çudi, sepse historitë e “çunave” janë tanimë të dokumentuara.
Shqipëria e zhytur në mes të pandemisë, duket se shqetësohet më shumë për largimin e një ministreje që thjeshtë ngrohu karriken në këmbim të një rroge të majme, dhuratë e taksapaguesve shqiptare, për të çuar në vend një trill të kryeministrit.
E vetë kryeministri, pasi ka harruar “luftën” me virusin, është i angazhuar maksimalisht për të gjetur zgjidhje të krizës politike në Bjellorusi dhe të konfliktit të rradhës greko- turk në Ballkan.
E ky vend, Shqipëria jonë, do të vazhdojë të luhatet. Në mes jetës e mbijetesës, si gjithmonë këto 30 vjet e me përkeqësim të dukshëm para zgjedhjeve. Tingëllon cinike, por situata duket se agravohet teksa kryeministri i vendit është i impenjuar jo vetëm të fitojë zgjedhjet politike për mandat të tretë, por cakton edhe numrin e mandateve që duhen siguruar, jo më pak se 74.
E pas “udhëzimit”, struktura të dukshme e të padukshme, të shtetit dhe të “botës së errët” nisin punën për realizimin e objektivit të të madhit të vendit. Sigurisht, në këtë proces, do të ketë edhe “dëme anësore”, siç është shkundja e rendit e qetësisë publike. Ndërsa jetët e shqiptarëve, mbeten thjeshtë statistika. Statistika që ministri i rradhës i brendshëm, i përdorur për t’u krenuar në takime publike. Luan me përqindjet, duke harruar se pas tyre, janë jetë shqiptarët, një pjesë jo e vogël, që u pritet jeta në mes pa patur asnjë lloj faji.
Këto rradhë nuk pritet dhe nuk do tëkenë ndonjë efekt të madh. Sipas gjasave, nuk do të krijojnë asnjë reagim pozitiv për ndryshimin e situatës. Sepse askush nuk e ka mendjen tek jeta e shqiptarit, as tek mbijetesa e vështirë, as tek “lufta” me virusin, as tek siguria rrugore, as tek familja që po tronditet fort, edhe ditën e sotme. Në pak orë mungojnë në apel shumë shqiptarë. Fatkeqësisht, parashikimet nuk janë optimiste as në ditët e muajt në vijim! Këshilla më e mirë, ruani veten dhe të afërmit, lutjuni Zotit t’ju qendrojë pranë! Duke shpresuar të mos na ketë kthyer shpinën… /Nga Blerti DELIJA/