Komisioni i Ligjeve ka një mazhorancë socialiste. Me shumicë votash, është miratuar kandidatura e gjeneralmajor Bajram Begaj si kandidat për president i Shqipërisë, e cila pritet të votohet në seancë plenare të Kuvendit në orën 18.00 të ditës së sotme, e shtunë 4 qershor 2022.
Shumëkush e konsideron të pakuptimtë nxitimin e shumicës socialiste të vendit për të zgjedhur presidentin e ri në raundin e katërt, ku mjaftojnë 71 vota, të cilat kjo mazhorancë, i ka të garantuara. Raundet e tjera janë zhvilluar rigorozisht çdo 7 ditë, në kufirin maksimal që lejon kushtetuta. Edhe ky raund duhej të ndiqte këtë rregullësi, pra ditën e hënë, 6 qershor 2022. Pse po ngutet shumica e majtë në pushtet që nga 2013- a?
Pavarësisht se në vizitë në Stamboll të Turqisë, presidenti Meta ka firmosur lirimin nga detyra të gjeneralmajor Bajram Begaj, i cili është më shumë se ushtarak aktivi, pasi është edhe shef i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Madje, Meta është kujdesur të filmojë me celular momentin e firmosjes së dekretit. Nuk është e qartë nëse dekreti është depozituar fizikisht në Kuvend, duke përdorur linjat ajrore për transportin apo është mjaftuar me një foto cilësore me rezolucion të lartë e me ngjyra dërguar parlamentit.
Janë çeshtje proceduriale, por ndoshta mund të kenë ndikim nëse dikush mund të kujtohet të ankimojë procedurën e zgjedhjes së Bajram Begajt si president në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta e këtij vendi në fuqi, edhe pse e ndryshuar shumë herë sipas orekseve politike të momentin, e përcakton qartë në nenin 167 të sajë:
“Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike. Pjesëtarët e Forcave të Armatosura ose personat që kryejnë shërbim alternativ, gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë kushtetuese përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe.”.
Sot, pavarësisht se ditë pushimi zyrtare si e shtunë, deri në orën 14.35, Bajram Begaj është ushtarak aktiv, madje shef i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Një sekondë pas kësaj ore, zyrtarisht ai konsiderohet jo aktiv pas dekretit të firmosur nga presidenti Meta, të cilit me 24 korrik 2022, Begaj do ti zërë vendin. Rreth 4 orë pas këtij afati të lirimit nga detyra si ushtarak aktiv, Kuvendi do ta zgjedhë me votim me të fshehtë president Bajram Begaj, tashmë ushtarak jo aktiv.
A ha diskutim kushtetues e gjitha kjo procedurë, kur brenda harkut 4 orësh nga ushtarak aktiv që Kushtetuta pengon zgjedhjen, të kthehesh në ushtarak jo aktiv për tu zgjedhur president i vendit pa pengesa kushtetuese? Nuk ka nevojë për të qenë jurist apo konstitucionalist për të fhën përgjigje: PO!
Neni 167 i Kushtetutës synonte pengimin apo dekurajimin “de jure” të një grushti ushtarak shteti. Pra, që një ushtarak aktiv, i mbështetur edhe nga ushtria që mund të komandojë, të uzurpojë pushtetin politik, në këtë rast, majën e piramidës shtetërore, presidentin e Republikës. Pra, rrezikon të krijohet precedenti i rrezikshëm për të nesermen. Një gjeneral apo gradë tjetër ushtarake, me forcën e ushtrisë, të vijë në krye të shtetit.
Jemi gjithmonë në terrenin hipotetik, ashtu siç ndodh thuajse gjithmonë në arsyetime juridike. Por duhet parë edhe ana tjetër e medaljes. Nëse Gjykata Kushtetuese do të pranojë një ankimim për procedurën e zgjedhjes së presidentit Bajram Bega dhe ti japë të drejtë ankimuesve, procedura e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit do të duhet të nisë nga e para. Ndërkohë, deri në dhënien e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, që siç dihet merr shumë muaj, Bajram Begaj do të betohet, inagurohet dhe madje të nxjerrë dekrete. Nëse procedura e zgjedhjes së tij do të konsiderohet jo kushtetuese, do të largohet nga zyra dhe imazhi i Shqipërisë, si vend kandidat për BE dhe antar i NATO-s do të pësonte jo pak goditje. Se nuk po hamendësojmë se është edhe skemë…
Apo, kujt i intereson, kujt i plasi? Në fund të fundit, do të jetë vetëm një president- kukull. Qoftë me emrin e Bajram Begaj apo një tjetër. E sigurtë është se Shqipëria nuk mbetet pa një president… /Nga Blerti DELIJA/