Teatri “Migjeni” së shpejti do të dalë me nji shfaqje para spektatorit të vogëlushëve shkodranë! Sa bukur…u shkoftë mbarë. Kur lexova titullin “Mbretëresha e Dëborës”, mendova me vedi:
-Çka asht dëbora…?!
Mora telefonin dhe nji mik telefonova. Ai, m’u përgjegj me pak ironi:
-Hajde, hajde Ymer Bala! Kaq shpejt e paske harruar shqipen, o derzi?! Dëbora është bora, o i uruar!
Unë iu përgjegja pa ironi:
-Shqipen s’e harroj kollaj unë more zotni, por…dikur në rini kam pas këndue nji kangë me kitarë “Eja, eja Lulebore”. Tashti në pleqni provova me e këndue ndryshe: “Eja, eja LuleDebore” por si ajo e para nuk po me tingëllon!
…Po pse drejtuesit e Teatrit kur e kanë aprovue atë titullin e shfaqjes, nuk kane pasë mundësi që t’a shkruajnë atë “dëborën” e t’a bajnë borë?! Pra…”Mbretnesha e Borës”.
Hajt se, për hir të standardit , duhet “Mbretëresha” e jo “Mbretnesha” (edhe pse kjo e dyta tingëllon ma skenike) por atë “dëborën” a asht ndonji “krim” me e ba “borë” a?!
Nejse…mbase Teatri, në qoftë se do të realizojë ndonji ditë atë pjesën që e kemi pas pa dikur na kur ishim femijë:
“Borëbardha dhe 7 xhuxhët” do t’a korrigjojë e do t’a bajnë: “Dëborëbardha dhe 7 xhuxhët”….! /Nga Ymer BALA, “Mjeshtër i Madh”, aktor/