Kur merresha me gatitjen për shtyp të trashëgimisë gjuhësore të Mustafa Krujës leksikograf, hasa në një shqyrtim të tij mbi Fjalorin Etimologjik të Gustav Meyerit. Për ata që nuk e dinë ose e dinë turbull, Meyer është themeluesi i tezës ilire të gjuhës shqipe, autor i të vetmit Fjalor Etimologjik të Shqipes (të botuar) si edhe studiues i gramatikës historike të shqipes (plot 6 vëllime).
Mustafa Kruja vëren me pezm sesi sùlmohej me tërbím Meyer në vitet ‘50 nga pseudofilologët se paskësh marrë për bazë vetëm shqipen e diasporës duke na e nxjerrë gjuhën tonë më shumë latine se ç’ish.
Nuk dua të ndalem këtu në analizën e veprës së Meyerit, por në fjalinë përmbyllëse të Mustafa Krujës ndaj tij, i cili në lidhje me súlmet ndaj Meyerit shkruante: “Unë besoj se ky dijetar meriton nga ne shqiptarët ma shumë mirënjohje se ankime”.
Kjo frazë e Krujës të cilin po ashtu e rëndojnë veç me ankime e aspak mirënjohje, paçka se Xhuvani e vlerëson si themelues të Leksikografisë shqiptare, m’u kujtua edhe këto ditë.
Shumë të zorshme e paskemi mirënjohjen e sa të gatshëm topin e baltës!
Në fund, më vjen në mend edhe një replikë e Çabejt kur sulmohej si tradhëtar (histori pa mbarim kjo damkosje) dhe si i përulur ndaj dijes së huaj. Çabej tha: “Patriotizmi nuk është një medalje që ti e var të ta shohin bota”.
Mesa duket sot më shumë se dje do ftilluar ç’është patriotizmi, se shumë po e kërkojnë ende te jakë e xhaketës, atu ku vjerren stemat… /Nga Ledi SHAMKU SHKRELI, publikuar në Facebook me titullin “Balta, mirënjohja dhe patriotizmi”/